Aktualitet

Vajza e Dritëro Agollit shkruan letrën përlotëse për të atin: ‘Ti po lufton me errësirën’

I madhi Dritëro Agolli duket se po kalon disa ditë të vështira. Gjendja e tij shëndetësore nuk është fort e mirë dhe kjo u kuptua edhe në fotot e fundvitit, që e bija postoi me të. Shkrimtari gjendet nën disa tuba oksigjeni dhe vajza, Elona është larg e s`mund t`i qëndrojë pranë. Ajo i ka dedikuar të atit disa rreshta, të cilat kanë prekur ata që i kanë lexuar, deri në palcë.

“Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse. Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lotë, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jipja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja. Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im”, shkroi Elona nga Londra.

I urojmë shërim të shpejtë shkrimtarit!

Burimi i fotos: https://www.facebook.com/photo.php?fbid=656923217822661&set=picfp.100005149668461.605538702961113&type=3&theater