Business / Technology

Fuqia e paprecedentë e Elon Musk

Kur forcat ukrainase depërtuan nëpër linjat e frontit dhe hynë në zonat e pushtuara nga Rusia në Donbass dhe afër Kherson, Zaporizhzhia dhe Kharkiv tetorin e kaluar, zbuluan se sistemet e tyre të komunikimit, thelbësore për planifikimin e kundërsulmimit dhe mbrojtjen kundër ushtrisë pushtuese, nuk funksiononin më.

Deri atëherë ato ishin garantuar nga satelitët Starlink të kompanisë SpaceX, “shtylla kryesore e komunikimit në fushën e betejës”, siç i përcaktoi menaxheri ukrainas në front.

“Komunikimet ranë, njësitë mbetën të izoluara. Kur jeni në ofensivë, veçanërisht për komandantët, kërkohet një rrjedhë e vazhdueshme informacioni nga batalionet. Komandantëve iu desh të shkonin në fushën e betejës për të qenë brenda rrezes së radios, duke rrezikuar veten”.

Themeluesi i SpaceX, Elon Musk , i cili fillimisht kishte mbështetur plotësisht Ukrainën, kishte filluar të kishte dyshime nëse do të mbështeste rimarrjen e territoreve të pretenduara nga Rusia.

Jo vetëm kaq, ai i kishte dhënë një ultimatum Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve: nëse nuk do të kishte marrë 400 milionë dollarët në vit të nevojshme për të garantuar mbulimin e internetit satelitor në Ukrainë, Musk do ta ndërpriste shërbimin.

Colin Kahl-it iu desh që ta bindte atë të operonte satelitët e tij në territoret e pushtuara nga rusët dhe të arrinte një marrëveshje me mbrojtjen e SHBA-ve për pagesën e mbulimit të përgjithshëm satelitor.

Më pas Nënsekretari i Mbrojtjes për Politikë i Pentagonit, pyeti veten para se të fliste me të. “Pse po e telefonoj Elon Musk?”

“Teksa Musk nuk është teknikisht një diplomat apo burrë shteti, ndjeva se ishte e rëndësishme ta trajtoja atë si të tillë, duke pasur parasysh ndikimin që ai kishte në këtë çështje”, ka thënë ai më vonë.

Asokohe, Musk i tha atij se kishte folur personalisht me Putin-in.

“Përshtypja ime është se ai po nervozohej që përfshirja e Starlink shihej gjithnjë e më shumë në Rusi si mbështetje për përpjekjet e luftës në Ukrainë dhe po kërkonte një mënyrë për të zbutur shqetësimet ruse”, ka thënë Kahl.

Sado pa dëshirë, Musk pranoi kërkesat e Pentagonit: “Edhe nëse Starlink vazhdon të humbasë para dhe kompanitë e tjera marrin miliarda dollarë nga taksapaguesit, ne do të vazhdojmë të financojmë qeverinë ukrainase falas”.

Episodi është rindërtuar nga gazetari i Ronan Farrow në një hetim themelor mbi fuqinë disproporcionale të akumuluar nga Musk në pak më shumë se njëzet vjet.

Jo vetëm me SpaceX – që është bërë kontraktor i NASA-s – dhe satelitët e saj, por edhe me Tesla-n, e cila po udhëheq tranzicionin e makinave elektrike dhe zotëron rrjetin më të madh të stacioneve të karikimit në SHBA.

Një fuqi mbikombëtare dhe në disa aspekte edhe më e madhe se ajo e fuqive të mëdha botërore.

“Gjatë njëzet viteve të fundit, në një kontekst të infrastrukturës së shkatërruar dhe rënies së besimit te institucionet, Musk ka kërkuar mundësi biznesi në sektorë vendimtarë ku, pas dekadash privatizimi, shteti është tërhequr”, ka shkruar Farrow.

“Qeveria tani mbështetet tek ai, por përpiqet t’i përgjigjet oreksit të tij për rrezik, shantazh dhe kapriço. Zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm nga NASA, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Transportit, Administrata Federale e Aviacionit dhe Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë më kanë thënë se ndikimi i Musk është bërë i pashmangshëm në punën e tyre dhe shumë prej tyre thanë se e trajtonin atë si disa zyrtarë të pazgjedhur”.

Në një intervistë podcast vitin e kaluar, Musk u pyet nëse ai ka më shumë ndikim se qeveria amerikane.

Ai u përgjigj menjëherë duke thënë “në disa mënyra”.

Fuqia e tij është rritur më tej me blerjen e Twitter-it, duke i dhënë potencialisht një levë të madhe mbi zgjedhjet e vitit të ardhshëm në SHBA.

Po ashtu Musk njoftoi muajin e kaluar se ai kishte themeluar një kompani tjetër, xAi, e cila do të fokusohet në inteligjencën artificiale (Ai) ose – për të përdorur fjalët e tij – “të kuptuarit e natyrës së vërtetë të universit”.

 

Linku: https://www.newyorker.com/magazine/2023/08/28/elon-musks-shadow-rule

Foto: https://www.instagram.com/elonofficiall/?hl=en