Muajin e ardhshëm bëhen 25 vite që kur avokatët e qeverisë amerikane u ngritën në një sallë gjykate federale në Washington për të akuzuar Microsoft-in për shtypjen e paligjshme të konkurrencës.
Çështja historike, e sjellë në kulmin e dominimit të saj në industrinë e teknologjisë, arriti kulmin me një gjykatës që urdhëroi një ndarje të kompanisë.
Paçka se vendimi u anulua në apel.
Tani, një sallë gjyqi në Washington do të bëhet sërish fokusi i një përpjekjeje historike të Departamentit të Drejtësisë për të frenuar një nga kompanitë më të fuqishme të botës së teknologjisë.
Ankesa kundër Google-it është e para kundër gjeneratës së fundit të kompanive dominuese të teknologjisë që i drejtohen gjykatës.
Sipas shumë vëzhguesve ligjorë, rezultati do të jetë një test i rëndësishëm i strategjisë ligjore ambicioze të rregullatorëve të SHBA-ve dhe do të ndihmojë në përcaktimin e përpjekjeve të tyre më të gjera për të frenuar Big Tech-un.
Tanimë priten krahasimet me Microsoft-in– jo vetëm sepse vetë departamenti e ka përshtatur çështjen e Google-it si një përpjekje për të shtrirë rregullat e vendosura në atë rast në gjeneratën e fundit të gjigantëve të teknologjisë.
Duke i bërë jehonë një pikëpamjeje të përhapur gjerësisht në qarqet antitrust, Michael Carrier, një profesor i drejtësisë në Universitetin Rutgers, ka thënë se shënon “çështjen më të rëndësishme të monopolit antitrust që nga Microsoft-i”.
Sipas analistit Paul Gallant, tre vjet më parë, kur qeveria amerikane përshkroi për herë të parë fushatën e saj ligjore, shumë investitorë shqetësoheshin se kjo do të ndikonte në fitimet e Big Tech-ut.
Shumë kanë besuar se rregullatorët po përpiqeshin t’i mbanin kompanitë e teknologjisë përgjegjëse dhe gjykatat amerikane nuk kishin gjasa t’i mbështesin ato.
Nëse Google-i triumfon, “nuk do të ketë ndryshime në modelin e tij të biznesit – dhe rasti do të jetë veçanërisht pozitiv për kompanitë e tjera të teknologjisë që përballen me padi antitrust”, sipas Gallant.
Megjithatë, me Big Tech-un duke hipur lart në Wall Street këtë vit, një fitore e qeverisë mund të sjellë një pengesë të mprehtë.
Kurse për administratën Biden, çështja shënon testin e parë të zhvendosjes drejt një qëndrimi më të ashpër të zbatimit të antitrustit kundër Big Tech-ut.
Është një moment veçanërisht i rëndësishëm për Jonathan Kanter, kreun e njësisë antitrust të Departamentit të Drejtësisë.
Ai është në mesin e gjeneratës së re të zyrtarëve përparimtarë antitrust të emëruar nga presidenti Joe Biden në një përpjekje për të trajtuar atë që Shtëpia e Bardhë e sheh si pushtet të tepruar të korporatës.
Teksa Kanter trashëgoi çështjen, ai nuk e ka fshehur ambicien e tij për të frenuar Big Tech-un.
Ai ka thënë vitin e kaluar se teknologjia ishte “nafta e re” dhe se qeveria duhet të sigurojë që “ligji dhe programi i zbatimit të jenë të kalibruar sipas realiteteve të tij”.
Sakaq, departamenti ngriti një rast të dytë kundër Google-it, mbi praktikat e reklamimit, në janar.
Përfshirja e Kanter ka sjellë gjithashtu një avantazh personal ndaj konfrontimit ligjor.
Shefi i zbatimit më parë bëri emrin e tij në çështjet e teknologjisë së profilit të lartë, duke përfshirë përfaqësimin e Microsoft, Yelp dhe kompani të tjera kundër Google-it.
Në vitin 2021, kompania e kërkimit bëri thirrje për një hetim nëse ai duhet të përjashtohej nga procesi gjyqësor dhe hetimet kundër tij.
Departamenti nuk ka treguar ende se cilat mjete do të kërkonte nëse fiton, por ambicia e tij e qartë për të shënuar një fitore të madhe në një gjyq të spikatur teknologjik ka rritur pritshmëritë se do të kërkojë sanksione të forta.
Kritikët e Google-it në industrinë e teknologjisë kanë bërë thirrje për një ndarje të kompanisë, megjithëse shumë ekspertë ligjorë thonë se kjo nuk ka gjasa.
Nuk ka asnjë ndarje të dukshme të biznesit të Google-it që do të merrej me çështjet e ngritura nga gjyqi, sipas Donald Polden, një profesor i juridikut.
Sipas tij, një rezultat më i mundshëm do të ishin rregullat për të parandaluar abuzimin në të ardhmen dhe lloji i monitorimit të vazhdueshëm të biznesit të tij që iu imponua Microsoft-it.
Linku: https://www.ft.com/content/1c6cb5e8-11b1-4d9e-b22f-39d5e18dd229
Foto: Freepek.com