Business / Technology

“Firmat e inteligjencës artificiale janë bllokuar nga gara mes rivalësh”

Bëri thirrje për një pauzë në zhvillimin e sistemeve të fuqishme të inteligjencës artificiale, por tani ka thënë se drejtuesit e teknologjisë nuk e ndaluan punën sepse janë në garë.

Max Tegmark, një bashkëthemelues i Institutit Future of Life, ka shkruar një letër të hapur në mars duke bërë thirrje për një pauzë gjashtëmujore në zhvillimin e sistemeve gjigante të inteligjencës artificiale.

Dokumenti, paçka mbështetjes nga më shumë se 30 mijë nënshkrues, nuk arriti të sigurojë një ndërprerje në zhvillimin e tyre.

Gjashtë muaj më vonë, Tegmark ka thënë se nuk priste që letra të ndalonte kompanitë e teknologjisë që të punonin drejt modeleve të inteligjencës artificiale më të fuqishme se GPT-4, modeli i madh gjuhësor që fuqizon ChatGPT, sepse konkurrenca është bërë tejet intensive.

“Ndjeva se privatisht shumë drejtues të korporatave me të cilët fola donin një pauzë, por ata ishin bllokuar në këtë garë kundër njëri-tjetrit. Kështu që asnjë kompani nuk mund të ndalojë e vetme”, ka thënë ai.

Letra paralajmëronte për një “garë jashtë kontrollit” për të zhvilluar mendje që askush nuk mund t’i “kuptonte, parashikonte ose kontrollonte në mënyrë të besueshme”.

Tegmark, profesor i fizikës në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, ka theksuar se e shikonte letrën si një sukses.

“Letra ka pasur më shumë ndikim sesa mendoja se do të kishte”, ka thënë ai, duke treguar për një zgjim politik mbi inteligjencën artificiale që ka përfshirë seancat dëgjimore të Senatit të SHBA-ve me drejtuesit e teknologjisë dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar që mbledh një samit global për sigurinë e inteligjencës artificiale në nëntor.

Sakaq, frika rreth zhvillimit të inteligjencës artificiale varion nga e menjëhershme, si aftësia për të gjeneruar video të falsifikuara të thella dhe për të prodhuar në masë dezinformata, deri te rreziku ekzistencial i shkaktuar nga inteligjenca artificiale super inteligjente që shmang kontrollin njerëzor ose merr vendime të pakthyeshme dhe me shumë pasoja.

Linku: https://time.com/6316336/uk-ai-regulation-competition/

Foto: Freepik.com