Po e nisim nga një deklaratë e ish-Presidentit amerikan Barack Obama: “Xhindi është lëshuar”. Kështu iu referua ai Inteligjencës Artificiale. Sigurisht, me kaq shumë pajisje teknologjike që kryejnë thuajse çdo gjë dhe madje përtej kapaciteteve njerëzore, ekziston frika për një ndryshim të madh në ambientin e punës.
Në raportin e saj të punës për vitin 2023, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thekson marrjen e masave urgjente për të mos lënë AI të ndikojë në tregun e punës. Bazuar në studimet e bëra deri më tani, rezulton se Inteligjenca Artificiale mund t’i shtojë triliona dollarë ekonomisë globale, sidomos në këto fusha: mbështetje për klientët, marketing apo krijimi i softuerëve.
Mbresëlënëse, por njëkohësisht e frikshme!
Thuhet se deri në vitin 2030, me këtë ritëm, thuajse 30% e orëve të punës në Shtetet e Bashkuara do të kryhen nga robotët. Banka, teknologjia e lartë, shkencat humane, tregtia me pakicë, pothuajse çdo industri do të ndryshojë.
Fuqia punëtore do të transformohet duke marrë parasysh këtë përparim teknologjik!
Këto zhvillime vijnë në një mjedis tashmë të ndryshëm, pas pandemisë së koronavirusit. Nivelet e papunësisë mbeten të larta në shumë shtete dhe ekziston problemi me pagat. Për më tepër, puna nga shtëpia po kthehet në një normalitet. Ky stil i ri jetese do rrisë nevojën për punëtorë, por edhe për kualifikim. E kur bëhet fjalë për këtë të fundit, robotët favorizohen më shumë.
Gjithashtu, kriza klimatike do të krijojë nevoja në sektorin e infrastrukturës dhe ndërtimit, ku tashmë ka një mungesë të konsiderueshme të burimeve njerëzore.
Sipas Institutit të njohur të kërkimeve “McKinsey”, 1 në 16 punëtorë do i duhet të ndryshojë profesionin deri në 2030-ën si pasojë e Inteligjencës Artificiale. Po të bëhet një përllogaritje, i bie që thuajse 100 mln njerëz vetëm në Kinë, Francë, Gjermani, Indi, Japoni, Spanjë, Shtetet e Bashkuara dhe Britani do të jenë në kushte të tilla.
Ky revolucion teknologjik mos ndoshta do të zhdukë aftësitë e talentet njerëzore? E ardhmja në punë mbetet ende e paqartë. A do punojmë dhe për shumë gjatë në zyra? Këto e shumë pyetje të tjera po ngrihen shpesh së fundmi, jo vetëm nga ekspertët e fushës, por edhe njerëzit e thjeshtë të cilët ‘druhen’ se në pak vite, do zbehet kjo jetë që po bëjmë.
Linku: https://blog.hubspot.com/marketing/jobs-artificial-intelligence-will-replace
Foto: Freepik.com