Komisioni Evropian ka miratuar respektivisht 120.5 milionë dhe 226.5 milionë euro për projektet hekurudhore në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Financimi në fjalë vjen si pjesë e një pakete investimi prej 680 milionë eurosh në hekurudha dhe energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor.
Në Shqipëri, financimi do të përdoret për rindërtimin e linjës 33.5 kilometra ndërmjet Durrësit dhe Rrogozhinës, që do të përfundojë në vitin 2028.
Puna do të përfshijë elektrifikimin, si dhe sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit.
Sakaq, linja me matës standard është pjesë e Korridorit VIII Pan-Evropian, i cili lidh Italinë jugore me Detin e Zi.
Linja u ndërtua në fund të viteve 1940, por pak ose aspak mirëmbajtje është ndërmarrë gjatë 25 viteve të fundit duke detyruar trenat të udhëtojnë me shpejtësi të ulët.
Ndërkohë në Mal të Zi do të ketë riparime dhe përmirësime të hekurudhës ndërmjet Tivarit dhe Golubovcit.
Kjo linjë është pjesë e hekurudhës që lidh bregdetin malazez me Vrbnicën në Serbinë qendrore, e cila konsiderohet linja më e rëndësishme e Malit të Zi.
Puna, e cila pritet të përfundojë në vitin 2029, është pjesë e planeve për shtrirjen e Rrjetit Bërthamë TEN-T në Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket të dy projekteve, ata përfshihen në paketën e gjashtë financiare të Planit Ekonomik dhe Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Ky i fundit do të përfshijë një investim total prej 16.6 miliardë eurosh dhe synon përfundimisht të hapë rrugën për pranimin e vendeve për t’u anëtarësuar në BE.
“Teksa vazhdojmë të punojmë së bashku për pranimin, duhet të ndërmarrim veprime vendimtare për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më afër ekonomisë sonë”, ka thënë presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
“Së bashku, ne po hedhim themelet për rritje të qëndrueshme dhe integrim më të afërt, duke demonstruar edhe një herë angazhimin tonë të fortë për prosperitetin e rajonit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, ka shtuar ajo.
Foto: Freepik.com