Travel

Turizmi natyror në Shqipëri ka kapur interesin e 4.5 milionë turistëve

Kanë qenë rreth 4.5 milionë turistë, qoftë vendas, ashtu edhe të huaj, të cilët kanë vizituar zonat e mbrojtura në Shqipëri, përgjatë vitit 2023.

Mund të duket një shifër e lartë, duke marrë parasysh edhe dyndjen e madhe turistike, me 10 milionë vizitorë të huaj përgjatë vitit të shkuar, por një fakt turizmi natyror ka pësuar një rënie të lehtë me 1.7%, krahasuar me vitin 2022.

Kështu bëhet me dije në shifrat e publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përkatësisht nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

“Në lidhje me turizmin natyror, te dhënat nga Agjencia Kombëtare e Zonave vendas, që kanë vizituar zonat tona të mbrojtura. Mbështetur në të dhënat e sjella nga zonat e mbrojtura rezulton një ulje e moderuar prej 1,7% krahasuar me numrin e vizitorëve gjate vitit paraardhës” thuhet në raport.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton doemos se turizmi natyror në Shqipëri po shkon drejt uljes.

Sa i takon kësaj teme, duhet marrë parasysh edhe fakti se shifrat në këto zona nuk pasqyrojnë realitetin, duke qenë se sektori ende ka mangësi në regjistrimin real të turistëve dhe shpesh has edhe në problemin e informalitetit.

Në terma të shifrave ndërkaq, Shkodra ka pasur numrin më të lartë të vizitorëve në vitin 2023, ku më pas radhiten Fieri dhe Vlora.

Teksa, një rënie e konsiderueshme shihet për Korçën, e cila ka dalë nga treshja e parë.

Rreth 2 milionë shtetas të huaj kanë vizituar ndërkaq parqet kombëtare në Shqipëri në vitin 2023, duke shënuar rritje, krahasimisht me 2022-shin. Ajo qëndron në rendin e 40.2%, ku parqet natyrore më të vizituara janë ai i Divjakë-Karavastasë, Alpet e Shqipërisë dhe Mali i Tomorrit.

Monumentet e natyrës janë vizituar nga 425 mijë vizitorë, duke shënuar një ulje të lehtë në krahasim me vitin 2022. Në këtë rang, ujërat termale të Bënjës radhiten si më të vizituarat, duke u ndjekur nga Shpella e Shën Andoit dhe Sarisalltiku.

Liqeni i Shkodës, Syri i Kaltër dhe Qafështama kanë qënë Rezervatet Natyrore më të vizituara gjat vitit 2023.

Linku: https://www.theguardian.com/travel/2023/feb/24/albania-sets-its-sights-on-high-end-eco-tourism

Foto: Freepik.com