Shqipëria, me një pasuri të madhe natyrore është sërish një destinacion i rekomanduar nga mediat franceze. E fundit që i bashkohet këtyre mediave që i bëjnë jehonë turizmit në vendin tonë është revista franceze e udhëtimeve “Air Info” e cila rekomandon lexuesit e saj të vizitojnë qytetin bregdetar të Sarandës.
Kjo revistë e vlerëson këtë qytet për klimën dhe shkruan se sezoni i pikut turistik në përgjithësi zgjat nga qershori deri në shtator. Për këtë arsye sugjeron lexuesit që ta vizitojnë këtë qytet gjatë stinës së pranverës për të shmangur fluksin e lartë të turistëve dhe për të shijuar një klimë më të freskët dhe më të këndshme.
Numri i turistëve gjatë kësaj periudhe është më i ulët, prandaj turistët e huaj do ta kenë më të lehtë për të zbuluar bukuritë e Sarandës në një mjedis të qetë. Ndër objektet e paharrueshme për t’u vizituar në këtë qytet, është zona arkeologjike e Butrintit. Ky park kombëtar, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është shtëpia e rrënojave greke dhe romake, që dëshmojnë për një të kaluar të pasur me histori thuhet në artikull.
Por qyteti vlerësohet jo vetëm për historinë, por edhe për plazhet e saj. Rekomandon Plazhin e Pasqyrave që përgjithësisht është më pak i populluar me njerëz turistë ofron një mjedis piktoresk për t’u çlodhur pranë ujit.
I vendosur pak kilometra në jug të Sarandës, ndodhet Ksamili që ka disa nga plazhet më të bukura të rivierës shqiptare, dhe ka ishuj të vegjël lehtësisht të aksesueshëm me varkë. Padyshim edhe kuzhina shqiptare është e pasur dhe e larmishme dhe Saranda nuk bën përjashtim nga kjo.
Restorantet e peshkut dhe ushqimeve të detit janë gjithashtu të shumta në numër dhe në përgjithësi ofrojnë një përzgjedhje të shkëlqyer të peshkut të freskët nga peshkimi vendas.
Artikulli përmend edhe destinacione të tjera turistike që ja vlen të vizitohen si Himara, Dhërmiu, Vlora, Durrësi, por edhe Gjirokastra.
Foto: Freepik.com