Supermodelja britanike Naomi Campbell ka reaguar pasi emri i saj është përmendur në dokumentet e reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së për rastin e Jeffrey Epstein, duke theksuar se nuk ka pasur dijeni për aktivitetet kriminale të financierit të dënuar.
Sipas mediave të huaja, Campbell ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe ka theksuar përmes përfaqësuesve të saj ligjorë se çdo kontakt me Epstein ka qenë në kontekst social apo profesional, pa qenë në dijeni të krimeve të tij. Avokati i saj ka deklaruar se modelja “nuk kishte njohuri për sjelljen kriminale të Epstein deri në arrestimin e tij në vitin 2019” dhe se nëse do të kishte dyshuar për diçka, do të kishte ndërhyrë për të ndihmuar viktimat
Emri i Naomi Campbell shfaqet qindra herë në dokumentet e publikuara, të cilat përfshijnë email-e, lista kontaktesh dhe dëshmi të viktimave. Në këto materiale përmenden kontakte mes saj dhe Epstein, përfshirë ftesa në evente, festa dhe komunikime për udhëtime
Megjithatë, përfaqësuesit e modeles kanë sqaruar se përmendja e emrit në këto dokumente nuk nënkupton faj apo përfshirje në krime. Ata theksojnë se Campbell nuk është akuzuar për asnjë shkelje ligjore dhe se nuk ka qenë në dijeni të abuzimeve që lidhen me Epstein
Nga ana tjetër, dokumentet hedhin dritë mbi faktin se Epstein mund të ketë përdorur emrin e saj për të fituar besimin e vajzave të reja, duke u premtuar mundësi në botën e modelingut. Sipas dëshmive, ai e përmendte Campbell për të rritur ndikimin dhe kredibilitetin e tij, pa dijeninë e modeles
Kujtojmë se edhe më herët, Naomi Campbell ka reaguar publikisht për këtë çështje, duke e cilësuar sjelljen e Epstein si “të pafalshme” dhe duke shprehur mbështetje për viktimat e tij.
Burimi: https://people.com/naomi-campbell-jeffrey-epstein-access-to-fashion-events-parties-11908306?utm_source
Foto: https://www.instagram.com/naomi/