ShowBiz

Familja e Mirit reagon ashpër ndaj produksionit, del me letër publike

 

Pas Prim-it të djeshëm duket se tensioni mes familjes së Mirit dhe Selin vetëm sa është rritur.

Këtë herë ka reaguar publikisht familja e Mirit, duke publikuar një letër të hapur që ka bërë menjëherë bujë në rrjet.

Në reagimin e tyre, familja Shahini shprehet se është ndjerë e detyruar të flasë për mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet Armir Shahini gjatë qëndrimit në shtëpinë e BBVA.

“Ndjejmë detyrimin të reagojmë publikisht lidhur me mënyrën se si po trajtohet djali ynë,” thuhet në fillim të letrës, ku theksohet se ai ka hyrë në këtë format me qëllimin për të qenë vetvetja dhe për të kontribuar pozitivisht.

Sipas familjarëve, loja e Mirit është ndërtuar mbi respekt dhe qasje njerëzore, por kjo nuk është reflektuar gjithmonë në mënyrën si është interpretuar apo transmetuar për publikun.

Një nga pikat më të forta të reagimit lidhet me akuzat dhe etiketimet ndaj tij, të cilat familja i cilëson si të tepruara.

“Përdorimi i akuzave të rënda dhe etiketimet denigruese ndaj tij kanë kaluar çdo kufi të pranueshëm,” thuhet në letër, duke shtuar se cenimi i identitetit moral dhe profesional nuk duhet të përdoret si sensacion mediatik apo për të krijuar zhurmë publike.

Familja gjithashtu ka reaguar edhe ndaj mënyrës si janë interpretuar reagimet e Mirit brenda shtëpisë, duke sqaruar se ironia e tij shpesh është një mënyrë për të përballuar situata të vështira, e jo domosdoshmërisht konflikt.

Ata theksojnë se çdo ditë në atë ambient është një provë për durimin dhe ekuilibrin emocional, duke kërkuar që kjo të merret parasysh edhe nga publiku dhe produksioni.

Në fund, familjarët kërkojnë një qasje më të balancuar dhe profesionale në trajtimin e situatës në vazhdim, duke shprehur besimin se produksioni dhe ekipi i Top Channel do ta menaxhojnë situatën me përgjegjësi, duke ruajtur integritetin e formatit.

“Besojmë se primet e ardhshme do të reflektojnë një qasje më të drejtë dhe profesionale,” theksohet në reagim.

Letra mbyllet me një falënderim për mbështetësit dhe fansat, të cilët, sipas familjes, kanë treguar vazhdimisht mbështetje për Mirin.

Burimi: https://www.instagram.com/miri_westsidefamily/

Foto: https://www.instagram.com/miri_westsidefamily/