ShowBiz

Dua Lipa padit Samsung për 15 milionë dollarë: “Përdorën imazhin tim pa leje”

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka përfunduar në dyert e gjykatës pasi ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh ndaj kompanisë teknologjike Samsung.

Sipas mediave ndërkombëtare, artistja pretendon se kompania ka përdorur imazhin e saj në paketimet e disa modeleve të televizorëve pa autorizim.

Në padinë e depozituar në Gjykatën Federale të Kalifornisë thuhet se Samsung ka përdorur një fotografi të Dua Lipës për të përfituar nga popullariteti dhe suksesi i saj, me qëllim promovimin dhe rritjen e shitjeve të produkteve.

Ekipi ligjor i artistes pretendon se fotografia është realizuar gjatë performancës së saj në festivalin “Austin City Limits” në vitin 2024 dhe se të drejtat mbi imazhin i përkasin vetë këngëtares.

Dua Lipa mësoi për përdorimin e fotos së saj në qershor të vitit 2025, pasi fansat në rrjetet sociale nisën ta quanin produktin “Dua Lipa TV Box”.

Në dokumentet gjyqësore janë përfshirë edhe reagime të përdoruesve në rrjetet sociale. Një komentues shkruante se “do ta blinte atë televizor vetëm sepse ishte Dua Lipa në kuti”, ndërsa një tjetër shprehej: “Nëse do të shesësh diçka, mjafton të vendosësh një foto të Dua Lipës.”

Padia përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të markës tregtare dhe përdorim të paautorizuar të imazhit të artistes.

Sipas avokatëve të saj, Samsung ka injoruar vazhdimisht kërkesat për të ndaluar përdorimin e fotografisë.

Dua Lipa është një nga artistet më të kërkuara nga markat ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur si Puma, Versace, Yves Saint Laurent, Apple, Porsche, Chanel dhe së fundmi është bërë ambasadore globale e Nespresso.

Burimi;https://www.instagram.com/dualipa/

Foto:https://www.instagram.com/dualipa/