ShowBiz

Adi Krasta hyn në Ferma VIP me një mision të veçantë: “Në një reality vij për herë të parë”

Moderatori dhe gazetari i njohur shqiptar, Adi Krasta, është bërë pjesë e spektaklit “Ferma VIP”, duke surprizuar publikun me praninë e tij në një format reality, diçka që ndodh për herë të parë në karrierën e tij televizive.

I njohur për drejtimin e emisioneve të rëndësishme dhe rolin e tij në juritë e spektakleve të talenteve, Krasta mbetet një nga figurat më të spikatura të ekranit shqiptar. Megjithatë, kësaj here ai ka vendosur të thyejë një nga “tabutë” e tij profesionale duke hyrë në një reality show.

Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, Krasta nuk u bë pjesë e fermës si fermer, por në rolin e gazetarit, ku do të zhvillojë një intervistë me një prej banorëve të spektaklit.

“Vetë spektakli i madh ka kaluar disa ballafaqime të forta. Kohë do e tregojë nëse duhet të kthehemi te spektakli i dikurshëm. Unë i kam misionet e vogla. Intervista, pyetja, trajtimi i një teme të rëndësishme. Jam i kënaqur aty ku jam. Në një reality vij për herë të parë”, u shpreh Krasta.

Ai tregoi gjithashtu se mënyra se si ndjek televizionin është e veçantë dhe jo e vazhdueshme, por fenomeni që ka krijuar “Ferma VIP” ka tërhequr vëmendjen e tij.

“Unë kam një mënyrë kapriçoze të mënyrës si ndjek televizor. Nuk shikoj për orë të tëra, por fenomeni që ka ngacmuar gjykimin popullor ka qenë shumë i madh. Sa herë bëjmë programe, emri vjen gjithmonë, për shkak se është spektakolare”, tha ai.

Mes batutash dhe komenteve karakteristike, Krasta nuk kurseu as mendimet e tij për opinionistët e këtij edicioni, Armina Mevlanin, Ermal Mamaqin dhe Einxhel Shkirën, duke sjellë një atmosferë të veçantë në spektakël.

Prania e tij në “Ferma VIP” është pritur me interes nga publiku, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë surprizash do të sjellë gazetari i njohur në këtë eksperiencë të re televizive.

Burimi; https://www.instagram.com/adi_krasta/

Foto; https://www.instagram.com/adi_krasta/