ShowBiz

Sazani drejt transformimit luksoz, Ivanka Trump zbulon detaje për investimin milionësh në Shqipëri

Ivanka Trump ka zbuluar detaje të reja rreth projektit për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, një investim që pritet ta kthejë zonën në një nga destinacionet më ekskluzive turistike në Mesdhe.

Vajza e presidentit amerikan Donald Trump tha se ideja për këtë investim lindi pas një vizite të rastësishme që ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, zhvilluan në ishull gjatë një udhëtimi me jaht. Sipas saj, natyra e paprekur, peizazhet spektakolare dhe potenciali unik i Sazanit i bindën për të ndërmarrë këtë projekt ambicioz.

Projekti parashikon transformimin e ishullit me sipërfaqe rreth 1.400 hektarë në një resort luksoz, ku prioritet do të jetë ruajtja e mjedisit natyror dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Trump theksoi se arkitektura e resortit do të integrohet në mënyrë harmonike me natyrën përreth, duke ruajtur karakterin unik të ishullit. Ajo e cilësoi këtë nismë si më shumë sesa një investim biznesi, duke e përshkruar si kulmin e përvojës së saj shumëvjeçare në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në realizimin e projektit do të angazhohen arkitektë, dizajnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë të zhvillimit të qëndrueshëm, me synimin për të krijuar një destinacion që kombinon luksin, privatësinë dhe respektin për natyrën.

Megjithëse vlera e saktë e investimit dhe afatet e ndërtimit nuk janë bërë ende publike, projekti ka tërhequr vëmendje të gjerë si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke u konsideruar një nga investimet më të rëndësishme turistike të viteve të fundit në vend.