Brad Pitt ka shënuar një fitore të rëndësishme në procesin gjyqësor që vazhdon prej vitesh me ish-bashkëshorten e tij, Angelina Jolie, lidhur me pronësinë e kantinës së verës Château Miraval bën të ditur revista Us Weekly.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Gjykata e Apelit në Kaliforni ka vendosur në favor të aktorit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm që i lejonte biznesmenit rus Yuri Shefler të dilte nga padia.
Mosmarrëveshja nisi pasi Jolie shiti në vitin 2021 aksionet e saj në kantinën franceze kompanisë Tenute del Mondo, një degë e grupit Stoli. Pitt pretendon se, pas kësaj shitjeje, ai u bë “partner i pavullnetshëm” me Shefler, pronarin e grupit.
Shefler kishte argumentuar se kishte pasur një rol minimal në negociatat për blerjen e aksioneve të Jolie dhe se nuk kishte lidhje të mjaftueshme me shtetin e Kalifornisë për t’u përfshirë në proces. Megjithatë, Gjykata e Apelit vlerësoi se marrëveshja ishte e rregulluar nga ligji i Kalifornisë dhe se Shefler kishte përfituar nga aktiviteti i biznesit në këtë shtet.
“Kontaktet e Shefler me Kaliforninë gjatë blerjes së një kompanie kaliforniane nga një banore e Kalifornisë shkaktuan dëmin që është objekt i kësaj padie. Për këtë arsye, ai i është nënshtruar juridiksionit të gjykatave të Kalifornisë”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi i hap rrugën Pitt dhe kompanisë së tij të investimeve, Mondo Bongo, të vazhdojnë padinë dhe të rikuperojnë gjithashtu shpenzimet e apelimit.
Nga ana tjetër, avokati i Angelina Jolie deklaroi se ky vendim nuk ndikon në thelbin e çështjes dhe nuk ndryshon pozicionin ligjor të aktores. Sipas tij, Jolie pret që çështja të zgjidhet në gjyqin e planifikuar për vitin e ardhshëm, me shpresën që familja të mund të lërë pas konfliktet dhe të ecë përpara.
Konflikti për kantinën e verës shpërtheu në vitin 2022, kur Pitt paditi Jolie duke pretenduar se ajo kishte shitur pjesën e saj pa miratimin e tij, në kundërshtim me një marrëveshje që, sipas aktorit, ekzistonte mes tyre. Jolie, nga ana e saj, ka mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe ka deklaruar se ishte përpjekur t’ia shiste aksionet Pitt-it, por negociatat dështuan.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie ishin së bashku për 12 vjet dhe të martuar nga viti 2014 deri në vitin 2016. Edhe pse u ndanë një dekadë më parë, divorci i tyre u finalizua vetëm në dhjetor 2024. Ish-çifti kanë gjashtë fëmijë së bashku, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox dhe Vivienne.
Pas ndarjes, raportet mes Pitt dhe disa prej fëmijëve të tij janë përkeqësuar. Shiloh, Maddox dhe Zahara kanë ndërmarrë hapa ligjorë për të hequr mbiemrin “Pitt”, ndërsa Vivienne u prezantua si “Vivienne Jolie” në kreditet e shfaqjes së Broadway-t The Outsiders, duke përdorur vetëm mbiemrin e nënës së saj.
Burimi;https://people.com/brad-pitt-scores-legal-win-angelina-jolie-winery-testify-exclusive-12007119
Foto;https://www.instagram.com/angelinajolie/