ShowBiz

Shitet për 2.8 milionë dollarë shtëpia historike ku jetoi Bob Dylan

Shtëpia historike në lagjen Harlem të Nju Jorkut, ku legjenda e muzikës Bob Dylan jetoi për më shumë se një dekadë, është shitur për 2.8 milionë dollarë, raporton The Wall Street Journal.

Këngëtari dhe kantautori i njohur banoi në këtë rezidencë nga viti 1986 deri në vitin 2000. Banesa me pesë dhoma gjumi ndodhet në zonën e njohur Striver’s Row dhe daton që nga fundi i shekullit XIX.

E projektuar në vitin 1893 nga arkitekti Stanford White, shtëpia është ndërtuar në stilin e Rilindjes dhe ruan ende shumë prej elementeve të saj origjinale, të kombinuara me komoditetet moderne.

Sipas përshkrimit, hyrja të çon në një holl të veshur me dru dhe pllaka dekorative, ndërsa më pas vijon një sallon i bollshëm që lidhet me një kuzhinë të madhe me hapësirë ngrënieje. Banesa përfshin gjithashtu mobilie druri dhe xhami të restauruara, si edhe një verandë tërësisht të rinovuar, e përshtatshme për aktivitete në ambient të hapur.

Agjenti imobiliar Colin Montgomery, i cili ndërmjetësoi shitjen, tha se prona ka ruajtur karakterin e saj autentik dhe tërhoqi interes të madh nga blerësit.

Është një shtëpi e ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, shumë pranë pamjes së saj origjinale të viteve 1890. Kishte interes të madh gjatë gjithë kohës që ishte në treg dhe blerësi i duhur ishte dikush që donte të jetonte në të, jo ta ndryshonte”, u shpreh ai për People.