Harry Styles ka hyrë zyrtarisht në Librin Guinness të Rekordeve Botërore, pasi vendosi një rekord të ri me serinë më të gjatë të koncerteve të një artisti në Stadiumin Wembley.
Ylli britanik i muzikës pop u nderua pasi zhvilloi 12 koncerte radhazi me të gjitha biletat e shitura, duke vendosur një standard të ri në një prej arenave më prestigjioze në botë.
Me këtë arritje, Styles theu rekordin e mëparshëm të vendosur nga grupi Coldplay, i cili kishte realizuar 10 net radhazi në Wembley gjatë vitit 2025.
Lajmi u konfirmua edhe nga Guinness World Records, ndërsa gjyqtari Will Munford vlerësoi suksesin e artistit.
“Seria rekord prej 12 koncertesh e Harry Styles është dëshmi e përmasave, ambicies dhe ndikimit kulturor të performancave të tij live, si edhe e lidhjes së jashtëzakonshme që ai ka me fansat e tij,” u shpreh ai.
Harry Styles, 32 vjeç, nisi rezidencën londineze të turneut të tij “Together, Together” më 12 qershor, ndërsa koncerti i fundit u mbajt para rreth 80 mijë spektatorëve, duke përmbyllur një seri historike performancash.
Gjatë mbrëmjes finale, artisti ndau një moment emocional me publikun, duke kujtuar fillimet e karrierës së tij me grupin One Direction.
“Nuk do të isha në këtë skenë po të mos ishte për katër miqtë e mi, të cilët ishin një pjesë shumë e rëndësishme e këtij rrugëtimi,” tha Styles.
Ai falënderoi publikisht ish-anëtarët e grupit, Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe ndjerin Liam Payne, duke theksuar se pa ta nuk do të kishte arritur suksesin që gëzon sot.
“Dua të falënderoj Niall, Louis, Zayn dhe mikun tim të dashur Liam për këto vite dhe për gjithçka që kam mësuar gjatë kësaj kohe – miqësinë dhe çdo përvojë. Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur dhe unë nuk do të isha këtu pa ju. Ju falënderoj nga zemra,” u shpreh ai mes duartrokitjeve të publikut.
Styles kujtoi gjithashtu se rrugëtimi i tij nisi vetëm pak metra larg Wembley-t, ku 16 vite më parë mori pjesë në audicionin e spektaklit “The X Factor”, nga i cili lindi One Direction.
“Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, pak jashtë kësaj godine, u bëra pjesë e një grupi që ma ndryshoi jetën,” tha ai.
One Direction u formua në vitin 2010 gjatë The X Factor dhe u kthye në një nga grupet më të suksesshme të dekadës. Grupi vendosi të hynte në një pauzë të pacaktuar në vitin 2016, ndërsa në vitin 2024 industria muzikore u trondit nga ndarja nga jeta e Liam Payne në moshën 31-vjeçare.
Me rekordin e ri në Wembley, Harry Styles konfirmon edhe një herë statusin e tij si një prej artistëve më të mëdhenj të muzikës pop në botë, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e koncerteve live.
Burimi;https://www.instagram.com/harrystyles/
Foto; https://www.instagram.com/harrystyles/