ShowBiz

Të shtëna me armë pranë shtëpisë së Rihanna-s në Beverly Hills, arrestohet një grua

Një incident i rëndë është regjistruar në Beverly Hills, ku shtëpia e këngëtares së njohur botërore Rihanna është qëlluar me armë zjarri gjatë së dielës. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, autoritetet kanë arrestuar një grua 30-vjeçare, e cila dyshohet se ka kryer sulmin.

Ngjarja ndodhi pranë rezidencës luksoze të artistes, ku një automjet ishte ndaluar përballë portës së pronës. Nga aty janë qëlluar rreth 10 plumba drejt shtëpisë. Sipas raportimeve, një nga plumbat ka depërtuar edhe në murin e banesës, duke ngritur shqetësime për sigurinë në zonë.

Në momentin kur ndodhi incidenti, Rihanna ndodhej brenda shtëpisë, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Gjithashtu nuk është raportuar për persona të tjerë të plagosur nga të shtënat.

Policia ndërhyri menjëherë pas raportimit të incidentit dhe arriti të arrestojë të dyshuarën, e cila tashmë ndodhet në paraburgim. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe motivet e mundshme të sulmit, përfshirë nëse bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm ndaj artistes apo një incident të izoluar.

Sipas mediave amerikane, hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e banorëve të zonës për të kuptuar më qartë se si ndodhi sulmi dhe nëse persona të tjerë mund të jenë përfshirë.

Rihanna, një nga figurat më të njohura të muzikës pop në botë dhe një sipërmarrëse e suksesshme, jeton në rezidencën e saj në Beverly Hills së bashku me partnerin A$AP Rocky dhe familjen e tyre. Deri më tani, këngëtarja nuk ka bërë ndonjë reagim publik për incidentin.

Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi ndërsa hetimet vazhdojnë dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen më shumë detaje mbi rastin.

Burimi:https://people.com
Foto;https://www.instagram.com/badgalriri