ShowBiz

Selin Bollati flet pas fitores në “Big Brother VIP”: “Kam fituar veten dhe dashurinë”

Fituesja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, Selin Bollati, ka ndarë emocionet e saj të para pas triumfit, duke rrëfyer për publikun përjetimet nga një rrugëtim i gjatë dhe intensiv brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Në një intervistë pas finales, Selin u shpreh se ende po përjeton një “stuhi emocionesh”, ndërsa po rikthehet gradualisht në realitet pas 120 ditësh izolim.

“Jam në një miks emocionesh. Po shoh familjarët e mi, po mundohem të dalloj çdo fytyrë të njohur që ka ardhur për mua. Jam në një shok emocional dhe njëkohësisht shumë e lumtur që ky rrugëtim u kurorëzua me fitore”, u shpreh ajo.

Fituesja tregoi se fillimisht nuk e kishte menduar se do të qëndronte gjatë në shtëpi, duke shtuar se eksperienca e ka ndryshuar plotësisht.

“Ironike është që mendoja se do të rrija vetëm 20 ditë, por përfundova duke qëndruar 120 ditë. Tani madje kam pak frikë të dal jashtë, sepse u mësova me ato kushte”, tha Selin.

Ajo theksoi se përtej çmimit prej 100 mijë eurosh, fitorja më e madhe për të është dashuria dhe mbështetja e publikut.

“Kam fituar zemrat e publikut. Kjo është fitorja më e madhe. Edhe nëse nuk do të fitoja çmimin, Big Brother të jep shumë gjëra – unë kam fituar veten dhe dashurinë”, u shpreh ajo.

Sa i përket jetës personale, Selin foli edhe për marrëdhënien me Gimbion, duke lënë të kuptohet se çifti do të vazhdojë historinë e tyre jashtë kamerave.

“Na pret një e ardhme shumë e mirë. Do kemi mundësinë ta zhvillojmë marrëdhënien tonë larg kamerave”, u shpreh fituesja.

Një nga momentet më prekëse për të gjatë finales ishte surpriza e organizuar për të, e cila e emocionoi thellë.

“Surpriza ishte shumë emocionuese. Koreografia ishte menduar që unë të isha vetëm, por kur pashë edhe vajzën e vogël… dhe më pas mesazhi i babait tim… ishte ai momenti që më preku më shumë dhe do të mbetet më i bukuri për mua”, përfundoi Selin.