Kylie Jenner ka folur së fundmi për fëmijërinë e saj dhe jetën përpara famës globale, gjatë një interviste në podcast-in “Therapuss” me Jake Shane.
Ylli i “Keeping Up with the Kardashians” dhe sipërmarrësja e njohur në industrinë e kozmetikës tregoi se ishte vetëm 9 vjeçe kur kamerat hynë për herë të parë në jetën e familjes Kardashian-Jenner, duke ndryshuar gjithçka për ta.
28-vjeçarja u shpreh se kujtimet nga periudha para famës janë të pakta, pasi pjesa më e madhe e fëmijërisë së saj është kaluar nën vëmendjen e publikut.
“Mbaj mend pak nga jeta para emisionit, por jo shumë. Isha shumë e vogël kur nisi gjithçka,” tha Kylie.
Ajo tregoi se në fillim, prania e kamerave në shtëpi dukej diçka krejt normale për të dhe familjen, pasi u mësuan shpejt me ritmin e xhirimeve dhe ekspozimin publik.
Kylie u ndal edhe te sezonet e para të reality show-t të famshëm, për të cilat tha se mbeten më të veçantat dhe më nostalgjiket për të. Sipas saj, emisioni jo vetëm që i bëri të famshëm, por edhe i afroi shumë si familje.
“Kaluan shumë kohë bashkë dhe krijuam kujtime të paharrueshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se edhe sot familja përpiqet të gjejë kohë për njëri-tjetrin, pavarësisht angazhimeve të shumta, fëmijëve dhe jetës së ngarkuar.
Kylie tregoi gjithashtu se vetëm tani, vite më vonë, ajo dhe motra e saj Kendall Jenner e kuptojnë sa e pazakontë ka qenë fëmijëria e tyre.
Ajo kujtoi momentet kur qendrat tregtare mbylleshin për shkak të turmave të fansave apo udhëtimet jashtë vendit ku njerëzit i ndiqnin kudo.
“Kur i shohim sot fotot, pyesim veten si ka qenë e mundur,” tha Kylie, duke reflektuar mbi adoleshencën e kaluar nën vëmendjen konstante të mediave dhe publikut. Rrëfimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku shumë ndjekës kanë komentuar mbi presionin dhe ndikimin që fama në moshë të hershme mund të ketë tek fëmijët dhe adoleshentët.