ShowBiz

Meta pushon 8 mijë punonjës me email në orën 4 të mëngjesit, kompania zhvendos fokusin drejt Inteligjencës Artificiale

Meta ka nisur një nga valët më të mëdha të shkurtimeve në historinë e saj, duke larguar rreth 8 mijë punonjës, ose afro 10% të fuqisë së saj globale punëtore. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në rrjet, jo vetëm për numrin e madh të të pushuarve, por edhe për mënyrën se si kompania zgjodhi t’i njoftonte ata.

Sipas raportimit të Business Insider, punonjësit u paralajmëruan një ditë më parë që të punonin nga shtëpia dhe më pas morën emailin zyrtar të largimit nga puna në orën 4 të mëngjesit sipas zonës së tyre lokale kohore.

Në emailin e dërguar nga drejtuesit e Metës, kompania shpjegonte se shkurtimet janë pjesë e përpjekjeve për ta bërë organizatën “më efikase” dhe për të mbështetur investimet e reja strategjike.

“Fatkeqësisht, roli juaj është eliminuar si pjesë e riorganizimit të sotëm”, thuhej në mesazh. Punonjësit informoheshin gjithashtu se qasja e tyre në sistemet e brendshme do të ndërpritej menjëherë dhe se nuk do të kërkohej më asnjë detyrë pune gjatë periudhës së njoftimit.

Meta bëri të ditur se punonjësit do të përfitonin paketa kompensimi, duke përfshirë 16 javë pagesë bazë, plus dy javë shtesë për çdo vit pune në kompani. Gjithashtu do të ofrohej asistencë falas për kërkimin e një pune të re përmes kompanisë LHH.

Në rast se punonjësit ndodheshin në zyrë në momentin e njoftimit, emaili i udhëzonte ata të merrnin sendet personale dhe të largoheshin menjëherë për në shtëpi.

Pas këtij vendimi fshihet strategjia e re e kompanisë për t’u fokusuar masivisht tek Inteligjenca Artificiale. Krahas 8 mijë largimeve, Meta anuloi edhe planet për 6 mijë pozicione të reja pune, ndërsa rreth 7 mijë punonjës ekzistues do të transferohen në ekipe më të vogla të përqendruara në zhvillimin e teknologjive të IA-së.

Mark Zuckerberg u përpoq të qetësonte stafin e mbetur përmes një memoje të brendshme, duke deklaruar se nuk priten më shkurtime të mëdha gjatë këtij viti. Megjithatë, ai pranoi se mënyra e komunikimit të kompanisë me punonjësit “nuk ishte aq e qartë sa duhej”.

Burimi;https://www.businessinsider.com/