ShowBiz

Në kulmin e karrierës, Alban Skënderaj zbulon detaje nga albumi i ri “Rrënjët”

Këngëtari i njohur Alban Skënderaj ka ndarë më shumë detaje rreth projektit të tij më të ri muzikor, albumit “Rrënjët”, gjatë një interviste në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio me moderatorët Salsano Rrapi dhe Elona Duro.

Artisti foli jo vetëm për albumin, por edhe për emocionet e koncerteve të tij jashtë Shqipërisë, të cilat i cilësoi si një eksperiencë krejtësisht ndryshe dhe shumë të veçantë në këtë etapë të karrierës së tij.

I pyetur se përse vendosi të rikthehej tek “Rrënjët” pikërisht në një moment kaq të rëndësishëm të suksesit të tij, Albani u shpreh se ndiente mungesën e tingujve që lidhen me origjinën dhe identitetin muzikor shqiptar.

“Më mungonte në albumet e mia një tingull, një melodi ku ne kthehemi tek rrënjët tona. Janë të fshehura në mënyrë moderne, por ishte një gjë që më mungonte”, tha ai.

Sipas këngëtarit, albumi sjell një frymë ndryshe nga projektet e mëparshme pop dhe perëndimore që publiku është mësuar të dëgjojë prej tij.

Albani tregoi gjithashtu se këtë herë tekstet janë më të ndjera dhe më intime, duke u larguar disi nga qasja filozofike që e ka karakterizuar ndër vite.

“Kam shkruar tekstet në mënyrë më të dashur, më tavolinë. Nuk është ajo poezia klasike ku mundohem të jem filozofik. Një pjesë e rëndësishme e albumit janë ndjenjat e mia, por ka edhe elementë ëndërrimtarë që të çojnë përtej reales dhe fusin në lojë fantazinë”, u shpreh ai.

Për herë të parë, Skënderaj pranoi publikisht se ndihet plotësisht i kënaqur me një projekt muzikor.

“Kush më njeh e di që unë nuk jam asnjëherë i kënaqur me superlativa. Por tek ky projekt jam i lumtur dhe i kënaqur”, përfundoi artisti.

Burimi; https://www.instagram.com/albanskenderaj/?hl=en

Foto; https://www.instagram.com/albanskenderaj/?hl=en