ShowBiz

“Pres të më marrë ende në telefon…” – Ema Andrea trondit me rrëfimin për binjakun e saj

Aktorja e njohur Ema Andrea ka dhënë një nga rrëfimet më prekëse në podcastin e Grida Dumës, ku foli hapur për humbjen tragjike të vëllait të saj binjak, i cili ndërroi jetë papritur në palestër.

Mes emocionesh të forta, artistja tregoi se dhimbja e kësaj humbjeje vazhdon ta shoqërojë çdo ditë. “Pres të më marrë ende në telefon… Fjala është e mangët, tani unë s’jam”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se mungesa e të vëllait ka krijuar një boshllëk të pazëvendësueshëm në jetën e saj.

Ema Andrea rrëfeu se lidhja mes tyre ishte tepër e veçantë dhe se ai ishte personi që e kuptonte më mirë se kushdo tjetër. “E kishim vendosur që ai do ikte para meje, por jo kaq herët”, tha aktorja, duke treguar se largimi i tij i papritur e ka tronditur thellë.

Një nga momentet më të rënda të intervistës ishte përshkrimi i telefonatës që mori ditën e ngjarjes dhe momenti kur mbërriti në vendin ku kishte ndodhur tragjedia.

“Mu prenë gjunjët”, tregoi ajo, ndërsa kujtoi edhe çastin kur policia i kërkoi të mos afrohej më tej.

Aktorja foli gjithashtu për gjendjen e rëndë emocionale pas humbjes, duke pranuar se kishte menduar edhe të dëmtonte veten, por se nuk donte të prishte ceremoninë mortore të të vëllait. Në ato ditë të vështira, pranë saj ka qenë edhe Ori Nebiaj, të cilën e falënderoi për mbështetjen.

Në fund të rrëfimit, Ema Andrea ndau reflektime të forta mbi jetën, vetminë dhe marrëdhëniet njerëzore, duke theksuar se kjo humbje e ka transformuar plotësisht dhe i ka dhënë një kuptim tjetër ekzistencës së saj.