Bes Kallaku ka emocionuar ndjekësit me një rrëfim tepër personal dhe nostalgjik në rrjetet sociale. Aktori dhe humoristi shqiptar ndau një kujtim të veçantë nga fillimet e karrierës së tij, duke treguar se ende ruan bluzën që bleu me rrogën e parë nga spektakli “Portokalli”.
Në një postim që mori menjëherë vëmendje dhe komente të shumta, Besi publikoi një foto të vjetër nga vitet e para në ekran, krahas një imazhi aktual, duke zbuluar se pas më shumë se dy dekadash bluza vazhdon të ketë një vlerë të jashtëzakonshme emocionale për të.
“E hapa dollapin sot… dhe e gjeta përsëri. Të palosur me kujdes, si të ruante ende brenda aromën e atyre viteve”, – shkroi ai.
Aktori tregoi se bluza ishte blerë me rrogën e parë që mori nga “Portokallia”, periudhë që sipas tij përfaqëson sakrificat, lodhjen dhe ëndrrat e djalit të ri që po niste rrugëtimin në ekran.
“Nuk kam ruajtur një bluzë. Kam ruajtur një copë të shpirtit tim”, – vijon Besi në rrëfimin prekës.
Në fund të postimit, ai u drejtua edhe ndjekësve me një pyetje nostalgjike: “Po ju, çfarë ruani nga e shkuara?”, duke nxitur reagime të shumta dhe histori personale nga fansat e tij.