I njohur si “Mbreti i Popit”, Jackson ka qenë pjesë e toplistës prestigjioze gjatë gjashtë dekadave të ndryshme: me 11 këngë në vitet ’70, 20 në vitet ’80, 12 në vitet ’90, katër në vitet 2000, katër në vitet 2010 dhe tani një tjetër në vitet 2020.
Arritja më e fundit vjen falë këngës “Chicago”, e cila debutoi këtë javë në vendin e 30-të të Billboard Hot 100. Kënga u publikua fillimisht në vitin 2014 si pjesë e albumit pas vdekjes së artistit, “Xscape”, pesë vjet pasi Jackson ndërroi jetë në vitin 2009.
“Chicago” i bashkohet dy këngëve të tjera të suksesshme nga albumi “Xscape”: “Love Never Felt So Good”, në bashkëpunim me Justin Timberlake, që arriti vendin e nëntë, dhe “Slave to the Rhythm”, e cila u rendit në vendin e 45-të.
E prodhuar nga Timbaland dhe JRoc, ndërsa është shkruar nga Cory Rooney, “Chicago” shënon një tjetër sukses të rëndësishëm për katalogun muzikor të Jacksonit. Kjo është hera e parë që ai rikthehet në Billboard Hot 100 që nga viti 2018, kur u rendit me duetin “Don’t Matter to Me” së bashku me Drake.
Gjatë periudhës së matjes nga 22 deri më 28 maj, kënga regjistroi 10.7 milionë transmetime zyrtare në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një rritje prej 30 për qind krahasuar me javën paraprake, sipas të dhënave të Luminate.
Sipas rregullave të Billboard, këngët e vjetra mund të rikthehen në Hot 100 nëse arrijnë të futen në 50 pozitat e para dhe shfaqin rritje të konsiderueshme në dëgjueshmëri. Në rastin e “Chicago”, rikthimi u nxit nga rritja e transmetimeve online dhe interesi i ripërtërirë për veprën e Jacksonit, ndërsa filmi i tij biografik ka tërhequr vëmendje të madhe nga publiku.
Edhe pse “Chicago” nuk konsiderohej ndër hitet më të mëdha të Michael Jackson dhe nuk përfshihet në filmin biografik, kënga ka gjetur një audiencë të re falë mediave sociale, veçanërisht TikTok, ku është bërë virale mes brezit të ri të dëgjuesve.
Burimi; https://www.instagram.com/michaeljackson/
Foto; https://www.instagram.com/michaeljackson/