Gazetari i njohur Drini Zeqo ka bërë një rrëfim prekës për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, duke folur për humbjen e papritur të të atit.
I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Zeqo ndau me publikun detaje personale për jetën dhe karrierën, ndërsa u ndal veçanërisht te dhimbja që la pas ndarja nga babai.
Ai tregoi se babai i tij ndërroi jetë në mënyrë krejt të papritur, ndonëse ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Kam humbur babanë në mënyrë krejt të papritur. Unë isha 35 vjeç, ndërsa ai vetëm 56. Nuk vuante nga asgjë, ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe gjithçka ndodhi pas një hemorragjie cerebrale”, u shpreh gazetari.
Drini pranoi se përballja me këtë humbje nuk ishte e lehtë dhe se iu desh kohë për të pranuar realitetin, duke e cilësuar atë si një ngjarje që i ndryshoi jetën përgjithmonë.
Ai rrëfeu se edhe sot, vite më pas, e ndien thellë mungesën e babait dhe shpesh kërkon praninë e tij në momentet kur ka nevojë për mbështetje ose përgjigje.
“Ka raste kur më mungon jashtëzakonisht shumë. Shkoj ta vizitoj aty ku prehet, por jo gjithmonë, sepse çdo herë që ndalem para varrit të tij më pushton një dhimbje e madhe”, tha ai.
Rrëfimi i gazetarit preku ndjekësit, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e familjes dhe boshllëkun që lë humbja e një prindi, pavarësisht kalimit të viteve.