ShowBiz

Familja e Giorgio Armanit distancohet nga filmi biografik për ikonën e modës

Familja e stilistit legjendar Giorgio Armani dhe Grupi Armani janë distancuar zyrtarisht nga filmi biografik që po përgatitet për jetën dhe karrierën e ikonës së modës, duke theksuar se nuk e kanë miratuar projektin dhe nuk do të kenë asnjë rol në realizimin e tij.

Në një deklaratë zyrtare, Grupi Armani bëri të ditur se, ndonëse është në dijeni të projektit “Armani: The King of Fashion”, të producentit Andrea Lervolino dhe regjisorit fitues të dy Palmave të Arta, Bille August, nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në zhvillimin apo prodhimin e filmit.

“Grupi Armani nuk e ka miratuar, mbështetur apo financuar këtë projekt dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë fazë të zhvillimit apo prodhimit të tij. Për këtë arsye, kompania nuk ka asnjë lidhje me filmin dhe distancohet plotësisht si nga regjisori, ashtu edhe nga përmbajtja e tij”, thuhet në reagimin zyrtar.

Deklarata u publikua pak pasi media amerikane Deadline njoftoi se regjisori danez Bille August, fitues i dy Palmave të Arta në Festivalin e Kanës, do të drejtojë filmin, ndërsa producent do të jetë Andrea Iervolino, i njohur edhe për filmin “Ferrari“.

Sipas informacioneve të deritanishme, filmi do të rrëfejë jetën personale dhe rrugëtimin profesional të Giorgio Armanit, një prej figurave më të rëndësishme në historinë e modës.

Armani u nda nga jeta në shtator të këtij viti, në moshën 91-vjeçare, si pasojë e insuficiencës hepatike. Gjatë karrierës së tij ai u shndërrua në një simbol të elegancës italiane dhe ndikoi për dekada në industrinë globale të modës.

Skenari i filmit do të shkruhet nga Bobby Moresco, fitues i çmimit Oscar për filmin “Crash“, i cili ka bashkëpunuar disa herë me Andrea Iervolinon. Moresco është gjithashtu regjisori i filmit të ardhshëm biografik “Maserati: The Brothers”, me aktorët Al Pacino, Anthony Hopkins, Andy Garcia dhe Jessica Alba.

Giorgio Armani ishte një stilist italian dhe një nga figurat më të rëndësishme në historinë e modës botërore. Ai themeloi shtëpinë e modës Armani, e cila u shndërrua në një nga markat më të njohura globale, sinonim i elegancës dhe minimalizmit. Gjatë karrierës së tij disa dekadëshe, ai ndikoi thellësisht në industrinë e modës, duke veshur yje të Hollywood-it dhe duke ndërtuar një perandori luksi me ndikim ndërkombëtar.