ShowBiz

Puthje në tribunën VIP, Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet tërheqin vëmendjen në finalen e Botërorit

 Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet ishin mes çifteve më të komentuar gjatë finales së Kupës së Botës 2026. Dyshja tërhoqi vëmendjen në tribunën VIP, ku kamerat e kapën duke shkëmbyer puthje dhe momente romantike gjatë ndeshjes mes Spanjës dhe Argjentinës.

Çifti mbërriti dorë për dore në stadiumin “New York New Jersey”, të dielën e 19 korrikut. Kylie kishte zgjedhur një veshje elegante tërësisht të zezë, ndërsa Timothée u shfaq me një bluzë blu me mëngë të gjata dhe pantallona të zeza.

Pasi zunë vend në tribunë, aktori dhe ylli i familjes Kardashian-Jenner nuk e fshehën afrimitetin. Ata u fotografuan duke biseduar, përqafuar dhe shkëmbyer një puthje në buzë, ndërsa ndiqnin nga afër ndeshjen më të rëndësishme të turneut.

Për Chalamet kjo nuk ishte vetëm një paraqitje si spektator. Aktori 30-vjeçar pati një rol të veçantë përpara nisjes së finales, duke zbritur në fushë për të dorëzuar topin zyrtar të ndeshjes.

Vetëm pak ditë më parë, ai kishte qenë i pranishëm edhe në gjysmëfinalen mes Spanjës dhe Francës. Gjatë asaj ndeshjeje, aktori ishte parë në tribunë duke biseduar me ish-futbollistin e njohur anglez David Beckham.

Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet janë në një lidhje që prej prillit të vitit 2023. Edhe pse fillimisht u përpoqën ta mbanin romancën larg vëmendjes publike, me kalimin e kohës ata kanë shtuar paraqitjet e përbashkëta në ceremoni, ndeshje sportive dhe ngjarje të tjera të rëndësishme.

Finalja e Kupës së Botës mblodhi në stadium shumë emra të njohur nga sporti, kinematografia dhe moda. Mes të pranishmëve ishin Matt Damon, Julia Garner, Kevin Hart, Winnie Harlow, Tom Brady dhe Patrick Mahomes, së bashku me disa yje të NBA-së.

Atmosfera u bë edhe më spektakolare gjatë pushimit të finales, kur në skenë u ngjitën disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, përfshirë Madonna, Shakira, Justin Bieber dhe grupin BTS.

Megjithatë, mes gjithë yjeve të pranishëm, puthja dhe momentet e ëmbla të Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet u kthyen shpejt në një nga episodet më të komentuara të mbrëmjes.