Brikena Selmani pati një të ftuar të veçantë mbrëmjen e së hënës në rubrikën e saj në emisionin “Top Arena”. Përballë saj u ul partneri, Mateo Borri, me të cilin zhvilloi një intervistë të mbushur me humor, batuta dhe momente romantike.
Dalja e tyre e përbashkët tërhoqi vëmendjen, pasi erdhi pas aludimeve të ditëve të fundit për një krisje të mundshme në marrëdhënien e çiftit. Megjithatë, Brikena dhe Mateo treguan se romanca e tyre vazhdon dhe se lidhja mes tyre është më e fortë se kurrë.
Që në fillim të intervistës, Brikena nuk i kurseu fjalët e mira për partnerin, të cilin e prezantoi me nota humori dhe dashurie. Gjatë bisedës, dyshja ndau edhe disa detaje të panjohura nga marrëdhënia.
Një nga momentet që ngjalli më shumë interes ishte rrëfimi për telefonatat e tyre, të cilat mund të zgjasin deri në shtatë orë. E pyetur se për çfarë bisedojnë kaq gjatë, Mateo shpjegoi se gjithçka nis nga pyetjet e zakonshme për ditën dhe më pas një temë sjell tjetrën.
“Fillojmë duke pyetur si kalove ditën, çfarë bëre dhe ku je. Pastaj një muhabet nxjerr tjetrin. Fillon biseda në orën 10 të darkës dhe vazhdon deri në 4 të mëngjesit. Na zë gjumi me telefonin ndezur dhe zgjohemi po me telefonin ndezur”, tregoi ai duke buzëqeshur.
Mateo foli gjithashtu për përvojën e të punuarit në të njëjtin program me partneren. Sipas tij, angazhimi i përbashkët i ka afruar edhe më shumë, pasi shkojnë së bashku në punë dhe përgatiten pranë njëri-tjetrit përpara transmetimit.
“Të jesh me partneren në një program të jep një ndjesi tjetër. Vijmë bashkë në punë dhe bëhemi gati bashkë. Problemi i vetëm është se, kur jam në punë, e kam mendjen më shumë te Brikena sesa te të ftuarit apo sporti”, u shpreh moderatori.
Intervista u mbyll me një moment romantik, kur Brikena dhe Mateo shkëmbyen një puthje në buzë gjatë transmetimit. Ky veprim u interpretua si përgjigjja më e qartë ndaj zërave që kishin qarkulluar për një ndarje të mundshme.
Me telefonatat që zgjasin deri në mëngjes, humorin dhe afrimitetin e shfaqur në ekran, Brikena Selmani dhe Mateo Borri konfirmuan se marrëdhënia e tyre vazhdon e qetë dhe plot harmoni.
Burimi;https://www.instagram.com/itsbriki
Foto; https://www.instagram.com/itsbriki