Aktori i njohur hollivudian George Clooney, bashkë me bashkëshorten e tij Amal Clooney dhe dy fëmijët e tyre, janë detyruar të largohen nga rezidenca familjare në Brignoles, në jug të Francës, për shkak të zjarreve të fuqishme që kanë përfshirë zonën.
Lajmi është konfirmuar nga asistenti i aktorit, i cili ka publikuar edhe një letër që Clooney i ka dërguar kryetarit të Bashkisë së Brignoles. Në letrën e tij, aktori shpreh shqetësimin për situatën dhe tregon se ende nuk dihet nëse prona e familjes ka shpëtuar nga flakët.
“Nuk e dimë nëse shtëpia jonë do t’i mbijetojë kësaj fatkeqësie. Shpresojmë që ju dhe të gjithë banorët të jeni të sigurt. Amal dhe unë do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij komuniteti dhe do të kontribuojmë për ta rindërtuar, pavarësisht asaj që do të ndodhë”, thuhet në letrën e Clooney.
Prona e familjes, e vlerësuar rreth 9 milionë euro, konsiderohet një nga rezidencat më të njohura të aktorit në Evropë.
Ndërkohë, autoritetet franceze vijojnë përpjekjet për shuarjen e vatrave të shumta të zjarrit në jug të vendit. Temperaturat e larta, era e fortë dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen nga zonat e rrezikuara.
Burimi;https://www.instagram.com/p/DbTsLEPCNZI/?hl=en&img_index=1
Foto: https://www.instagram.com/p/DbTsLEPCNZI/?hl=en&img_index=1