Cristiano Ronaldo ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, këtë herë duke ndarë një pamje nga garazhi i tij luksoz.
Ylli portugez publikoi në Instagram një fotografi ku shfaqet i ulur mbi një Ferrari të kuq, ndërsa në sfond dallohen disa prej makinave më ekskluzive në botë. Mes tyre shihen modele të markave prestigjioze si Bugatti dhe Rolls-Royce, të cilat janë pjesë e koleksionit të tij të pasur.
“Lodrat e mia”, ka shkruar Ronaldo krahas postimit, duke iu referuar me humor pasionit të tij të njohur për automjetet luksoze.
Fotografia u prit me shumë interes nga miliona ndjekësit e futbollistit, të cilët e mbushën postimin me komente dhe komplimente për koleksionin e jashtëzakonshëm.
Pasioni i Ronaldos për makinat luksoze është i njohur prej vitesh. 40-vjeçari zotëron një nga koleksionet më të vlefshme të veturave mes sportistëve, me modele të rralla që kapin shifra milionëshe.
Përveç suksesit në futboll, Ronaldo mbetet një nga sportistët më të paguar dhe më të ndjekur në botë. Në rrjetet sociale, ai ndan shpesh momente nga jeta personale, familja, stërvitjet dhe pasionet e tij jashtë fushës së blertë.