ShowBiz

Modelet e Victoria’s Secret rrëfejnë betejën me imazhin e trupit

Modelet e njohura Bridget Malcolm dhe Vita Sidorkina kanë folur hapur për presionin e vazhdueshëm që kanë ndier në industrinë e modës dhe vështirësitë personale për të pranuar trupin e tyre.

Modelja australiane Bridget Malcolm ndau në rrjetet sociale një foto të sajën, duke treguar se në atë periudhë i ishte kërkuar të humbiste peshë, ndonëse ajo nuk e konsideronte veten mbipeshë. Sipas saj, përpjekja për t’u dukur e sigurt dhe e lumtur para kamerave ishte e vështirë, pasi në të vërtetë po përjetonte një luftë të fortë me perceptimin për trupin e saj.

Në një shkrim në faqen personale, Malcolm tregoi se vendosi të ndryshonte marrëdhënien me veten. Ajo hoqi dorë nga peshorja, metri për matjen e trupit dhe zakoni për të kontrolluar vazhdimisht pamjen e saj. Modelja theksoi gjithashtu se largoi rrobat e periudhës kur kishte peshën më të ulët.

Ajo u shpreh se nuk dëshiron më ta ndajë ushqimin në “të mirë” apo “të keq”, por të ushqehet shëndetshëm pa ndjekur dieta të rrepta. Malcolm pranoi se kishte shtuar në peshë, por theksoi se jeta e saj vlen shumë më tepër sesa një numër në etiketën e xhinseve.

Edhe modelja ruse Vita Sidorkina ka ndarë një rrëfim të ngjashëm në Instagram. Ajo tregoi se pesha e saj ka ndryshuar vazhdimisht gjatë viteve dhe se, pavarësisht shifrës që shihte në peshore, nuk ndihej kurrë e kënaqur me veten.

Sidorkina tha se komentet për trupin, presioni i industrisë dhe turpërimi online e kishin bërë më të vështirë pranimin e vetes. Sipas saj, gjatë dhjetë viteve në modeling kishte krijuar bindjen se nuk arrinte kurrë standardet e kërkuara.

Modelja shtoi se tashmë po përpiqet të përqendrohet më shumë te shëndeti mendor dhe fizik, duke hequr dorë nga regjimet e lodhshme të stërvitjes dhe duke ndryshuar mënyrën se si e sheh veten.