ShowBiz

Dokumentari “Musk” jep premierën në Venecia, Elon Musk cilësohet “njeriu më i pakontrolluar në Tokë”

Një dokumentar i ri mbi jetën dhe ndikimin e miliarderit Elon Musk ka publikuar trailerin e parë, pak përpara premierës së tij në Festivalin e Filmit në Venecia.

I drejtuar nga regjisori fitues i çmimit Oscar, Alex Gibney, dokumentari me titull “Musk” sjell një vështrim të thellë mbi jetën e themeluesit të SpaceX dhe Tesla-s, projektet e tij industriale, përfshirjen në politikë, si edhe figurën e debatueshme që ai përfaqëson në sytë e publikut.

Në trailer nuk shfaqet vetë Musk, por pamje nga një përplasje e raketës së SpaceX. Videoja shoqërohet me fragmente nga raportime mediatike dhe deklarata që e përshkruajnë miliarderin në mënyra krejt të kundërta: si “një Iron Man i jetës reale”, “kapitalisti më i madh”, por edhe si “fashist”.

Dokumentari, i cili zgjat rreth katër orë, premton të sjellë një portret pa doreza të një prej personazheve më të fuqishme dhe më polarizuese të kohës. Në trailer, Musk cilësohet edhe si “njeriu më i pakontrolluar në Tokë”.

“Musk” do të ketë premierën në Venecia mbrëmjen e 8 shtatorit, ndërsa pritet të shfaqet në kinematë amerikane më 16 tetor.

Burimi;https://www.instagram.com/elonmusk/?hl=en

Foto; https://www.instagram.com/elonmusk/?hl=en