Aktorja e njohur Nicole Kidman ka ndarë një rrëfim të sinqertë për një vështirësi që e ka shoqëruar gjatë fëmijërisë: belbëzimin.
Gjatë një interviste të përbashkët me Sandra Bullock, bashkë-yllin e saj në filmin e ri “Practical Magic 2”, Kidman tregoi se në moshën katër deri në gjashtë vjeç e kishte të vështirë të shprehte me fjalë atë që mendonte.
“Belbëzoja kur isha e vogël”, u shpreh aktorja, duke e surprizuar Bullock, e cila tha se nuk e kishte ditur më parë këtë pjesë të historisë së saj.
Kidman shpjegoi se shpesh e dinte saktësisht çfarë dëshironte të thoshte dhe mezi priste ta ndante, por fjalët nuk i dilnin menjëherë. “Më duhej kohë që fjalët të dilnin nga goja”, ka treguar ajo.
Aktorja tha se belbëzimi i ndodh edhe sot herë pas here, zakonisht për pak sekonda. Megjithatë, me kalimin e kohës ajo ka mësuar të mos nxitohët, të ngadalësojë ritmin dhe të bëjë një pauzë të shkurtër përpara se të vazhdojë.
Nicole Kidman e lidhi këtë përvojë edhe me ndrojtjen e saj të madhe. Sipas saj, edhe pse është një nga emrat më të njohur të kinemasë, ende ndihet e turpshme në situata sociale, si hyrja e vetme në një restorant të mbushur apo mbërritja në një festë.
“Jam shumë e turpshme. E kam kapërcyer ngadalë belbëzimin, por ndonjëherë ende tërhiqem në ndrojtjen time”, u shpreh ajo.