ShowBiz

Arrestohet 25-vjeçari që dyshohet se përndiqte Kris Jenner

Autoritetet në Los Angeles kanë arrestuar një 25-vjeçar, i dyshuar se kishte përndjekur yllin e reality show-ve, Kris Jenner, pranë banesës së saj në Kaliforninë Jugore.

Sipas NBC Los Angeles, i arrestuari është identifikuar si Zenwilliam Robson. Ai u ndalua të hënën nga Departamenti i Sherifit të Qarkut Los Angeles, nën dyshimin për përndjekje.

Ngjarja ndodhi pranë rezidencës së Kris Jenner, në zonën e maleve Santa Monica, ku 25-vjeçari fillimisht u ndalua nga rojet e sigurisë. Punonjësit e sigurisë kanë deklaruar se Robson kishte tentuar edhe më herët, në disa raste, të kontaktonte me 70-vjeçaren.

Pas ndërhyrjes së autoriteteve, ndaj tij janë ngritur akuza për shkelje të pronës private dhe refuzim për t’u larguar nga prona, të cilat klasifikohen si kundërvajtje.

Nuk dihet nëse Kris Jenner ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit.

Kjo nuk është hera e parë që nëna e famshme e familjes Kardashian-Jenner përballet me situata të tilla. Në vitin 2017, ajo kërkoi urdhër mbrojtjeje ndaj një ish-punonjësi sigurie, Joshua Jacobs, i cili sipas dokumenteve ligjore kishte tentuar të hynte në banesën e saj dhe ta kontaktonte në orët e para të mëngjesit.