Spice Girls kanë rikthyer entuziazmin te fansat me një postim misterioz në rrjetet sociale, i cili ka nxitur menjëherë spekulime për një projekt të ri apo një ribashkim të shumëpritur.
Në një video të publikuar në Instagram, grupi ka ndarë pamje të një njoftimi në gazetën britanike “The Stage”, pikërisht në atë publikim ku në vitin 1994 kërkoheshin vajza për të krijuar një grup të ri muzikor.
Detaji që ka tërhequr më shumë vëmendje është vendndodhja e gazetës: ajo shfaqet në shkallët e njohura nga videoklipi legjendar i këngës “Wannabe”.
Në njoftim shkruhet: “Jeni fans i Spice Girls dhe dini të këndoni e të kërceni? Jeni fans i zjarrtë, koleksionist apo adhurues i muzikës?”
Në fund të videos jepet një datë dhe një orë e caktuar, 10 shtator në orën 14:00, ndërsa pjesëmarrësve u kërkohet të kenë me vete një aparat për vinile ose CD. Grupi nuk ka dhënë ende asnjë sqarim për kuptimin e publikimit.
Spice Girls u formuan në vitin 1994 nga Victoria Beckham, Melanie Brown, Emma Bunton, Melanie Chisholm dhe Geri Halliwell. Ato u kthyen shpejt në një fenomen global me hite si “Wannabe”, “Spice Up Your Life” dhe “Viva Forever”.
Grupi u shpërbë në vitin 2000, por anëtaret janë ribashkuar disa herë ndër vite. Postimi i fundit ka rindezur shpresat se pesëshja mund të rikthehet sërish me një surprizë të madhe për publikun.
Burimi; https://www.instagram.com/p/DbiqB_koL-H/?hl=en
Foto; https://www.instagram.com/p/DbiqB_koL-H/?hl=en