ShowBiz

Erion Braçe në “Big Brother VIP”? Bledi Mane zbulon emrat që do të donte të shihte në shtëpi

Gazetari Bledi Mane ka ndarë emrat e personazheve që do të dëshironte të shihte në sezonin e ardhshëm të “Big Brother VIP”. I ftuar në emisionin “She’s On Air” në Top Albania Radio, ai përmendi Milaim Zekën, Helga Cakon dhe politikanin Erion Braçe si figura që, sipas tij, do ta bënin më interesante dinamikën brenda shtëpisë.

Emri i parë i propozuar nga Mane ishte ai i gazetarit Milaim Zeka, të cilin e cilësoi si një personazh kontrovers.

“Mendoj Milaim Zeka se është kontrovers dhe besoj se do pranonte”, u shpreh ai.
Një tjetër emër që gazetari do të donte të shihte në këtë format është Helga Cako, vajza e Alfred Cakos. Mane vuri në dukje lidhjen e fortë familjare dhe tha se pjesëmarrja e saj do të sillte edhe një mbështetje të zjarrtë nga i ati jashtë shtëpisë.

“Alfredi jashtë do të ishte një tifoz i zjarrtë, i çmendur që do të shkonte nëpër panele, do të mbronte vajzën”, tha Mane, duke shtuar se familja Cako është e angazhuar në përkthimin dhe botimin e librave dhe e njohur me televizionin.

Por propozimi që tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte Erion Braçe. Sipas gazetarit, karakteri i tij dhe mënyra se si përfshihet në debate do ta bënin një konkurrent interesant për publikun.

“Erion Braçe do më pëlqente, është një grindavec, tekanjoz dhe një njeri që i shkon debatit. Besoj se do të qëndronte deri në fund besnik i ideve”, u shpreh ai.

Mane argumentoi gjithashtu se një format i tillë do t’i jepte publikut mundësinë të njihte më shumë anën njerëzore të një politikani, përtej imazhit të tij në jetën publike.

Sa i përket një rikthimi të mundshëm të vetë gazetarit në “Big Brother VIP”, ai e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se publiku ka nevojë të shohë fytyra dhe karaktere të reja.

Emrat e përmendur gjatë intervistës janë dëshira dhe sugjerime personale të Bledi Manes, jo konfirmime për kastin e sezonit të ardhshëm.

Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=L48FlmX2Qyc

Foto; https://www.instagram.com/bled_mane/?hl=en