ShowBiz

Rozana Radi mohon aludimet për videot intime: “Nuk jam në asnjë prej tyre”, paralajmëron hapa ligjorë

Këngëtarja Rozana Radi ka reaguar publikisht pasi emri i saj është përfshirë në aludimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me disa video intime. Përmes një deklarate në Instagram, artistja ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me materialet e përfolura dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa ligjorë nëse vijon cenimi i reputacionit të saj.

“Po përpiqeni në të gjitha mënyrat të bëni pis emrin e shumë njerëzve. Për mua, kjo mbaron këtu”, shkruan Radi në reagimin e saj.

Këngëtarja ka theksuar se pretendimet që e lidhin me këto materiale janë të pabaza, duke kërkuar që emri i saj të mos përfshihet në spekulime.

“Theksoj qartë: unë nuk jam në asnjë prej videove të publikuara dhe nuk kam asnjë lidhje me videon që pretendohet”, deklaron ajo.

Në mesazhin e saj, Radi përmend familjen, partnerin dhe jetën private, duke kërkuar që ato të respektohen dhe që emri i saj të mos përdoret apo njolloset pa asnjë bazë.

Artistja u ka bërë gjithashtu thirrje përdoruesve të rrjeteve sociale që të mos shpërndajnë materiale apo pretendime të paverifikuara, të cilat mund të cenojnë dinjitetin dhe reputacionin e personave të përmendur.

Në përfundim të deklaratës, ajo ka paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, do t’u drejtohet rrugëve ligjore për mbrojtjen e emrit dhe imazhit të saj.

“Nëse kjo vazhdon, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore që më takojnë. Nga ky moment, le të flasin faktet dhe drejtësia”, përfundon Rozana Radi.