Një moment nga intervista e Anne Hathaway në “The Tonight Show” me Jimmy Fallon ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. Gjatë bisedës, aktorja preku barkun dhe shfaqi një çast parehatie, duke shqetësuar prezantuesin dhe publikun në studio.
Teksa fliste për shtatzëninë, Hathaway tha se i duhej pak kohë për t’u përshtatur. Reagimi i saj bëri që Fallon dhe disa prej të pranishmëve të mendonin se mund të kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Pasi vuri re shprehjet e shqetësuara, aktorja e qetësoi menjëherë situatën.
“Ju të gjithë u shqetësuat shumë”, tha ajo, duke shkaktuar të qeshura në studio.
Fallon pranoi se ishin bërë gati ta çonin në spital, por Hathaway i siguroi se gjithçka ishte në rregull.
Gjatë intervistës, aktorja foli edhe për ndryshimet që kishte përjetuar mes dy shtatzënive. Ajo tregoi se gjatë shtatzënisë së parë simptoma më e theksuar kishte qenë lodhja, ndërsa në të dytën kishte përjetuar akne dhe një ndjeshmëri shumë më të madhe ndaj aromave.
Me humor, Hathaway e përshkroi shqisën e nuhatjes si aq të fortë, sa i dukej se mund të “nuhaste motin”.