ShowBiz

Dua Lipa në bisedime të avancuara për të kryesuar Coachella 2027

Dua Lipa raportohet se është në negociata të avancuara për të qenë një nga emrat kryesorë të festivalit Coachella 2027. Nëse marrëveshja finalizohet, këngëtarja me origjinë shqiptare do t’i bashkohej yjeve si Lady Gaga dhe Sabrina Carpenter, duke forcuar më tej pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare të muzikës.

Sipas mediave britanike, Dua kishte zhvilluar bisedime me organizatorët edhe në vitin 2023, por atëherë kishte zgjedhur të përqendrohej te Glastonbury. Pas një turneu të madh botëror në stadiume, organizatorët thuhet se po bëjnë përpjekje serioze për ta siguruar si headline-re të festivalit.

Një marrëveshje me Dua Lipën do të ishte një sukses për Coachella-n, veçanërisht pas raportimeve se negociatat me grupin koreano-jugor BTS nuk u konkretizuan, pasi anëtarët vendosën t’i kushtonin vëmendje turneut të tyre.

Ndërkohë, këngëtarja po përgatitet për albumin e saj të katërt, pas “Radical Optimism”, të publikuar në vitin 2024, si dhe raportohet se po planifikon një turne të madh në stadiume gjatë vitit të ardhshëm. Kënga e parë nga projekti i ri pritet të publikohet në fillim të vitit 2027, megjithëse ende nuk ka një njoftim zyrtar.

Nëse pjesëmarrja e saj konfirmohet, Coachella mund të shërbejë si një platformë e rëndësishme për nisjen e kësaj faze të re muzikore. Për momentin, negociatat vazhdojnë dhe pritet konfirmimi zyrtar nga organizatorët ose ekipi i artistes.