ShowBiz

Divorci kaloi, por admirimi për J.Lo mbetet! Ben Affleck surprizon sërish me deklaratën e tij për të

Ben Affleck ka folur sërish me admirim për ish-bashkëshorten e tij, Jennifer Lopez! Duke vlerësuar përkushtimin, këmbënguljen dhe suksesin e saj në industrinë e argëtimit, në një intervistë për podcastin “The Moment”, aktori u shpreh se këngëtarja është një pioniere e vërtetë, e cila ka arritur të kapërcejë pengesa të shumta gjatë karrierës së saj.

“Është ndoshta njeriu më punëtor që kam njohur ndonjëherë”, deklaroi Affleck, duke shtuar se edhe pse e konsideron veten një person që punon fort, kur është pranë Lopez, arrin të kuptojë se sa i jashtëzakonshëm është përkushtimi i saj.

 Aktori vlerësoi gjithashtu mënyrën se si këngëtarja ka përdorur rrjetet sociale për të dëshmuar se ka një publik që e mbështet, edhe në momentet kur është përballur me pengesa profesionale.

“Edhe nëse askush tjetër nuk beson tek unë, unë do të besoj te vetja”, ishte mesazhi që Affleck përdori për të përshkruar qëndrimin e Lopez gjatë rrugëtimit të saj.

Ai theksoi se këngëtarja ka marrë përsipër rreziqe të mëdha dhe ka investuar edhe paratë e saj për të çuar përpara projektet profesionale, duke e cilësuar suksesin e saj si të jashtëzakonshëm.

Ben Affleck dhe Jennifer Lopez u martuan në korrik të vitit 2022, por këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc në gusht të vitit 2024, i cili u finalizua në janar të vitit 2025.

Megjithatë, marrëdhënia e tyre profesionale vazhdoi përmes filmit “Kiss of the Spider Woman”, të publikuar në vitin 2025, ku Affleck ishte producent përmes kompanisë Artists Equity, të themeluar së bashku me Matt Damon.