Edhe pse martesa dhe marrëdhëniet e përkushtuara mbeten norma shoqërore në shumë kultura, numri i beqarëve është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit. Një studim i ri shkencor hedh dritë mbi ndikimin që ka të qenit vazhdimisht beqar në mirëqenien psikologjike të të rinjve.
Studimi, i publikuar në Journal of Personality and Social Psychology nga Michael D. Krämer dhe bashkëpunëtorët e tij nga Universiteti i Cyrihut, analizoi të dhënat e 17,390 të rinjve nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Të gjithë pjesëmarrësit ishin 16–17 vjeç në fillim të studimit dhe nuk kishin pasur kurrë një partner romantik. Ata u ndoqën deri në moshën 29 vjeç, duke plotësuar rregullisht pyetësorë mbi kënaqësinë nga jeta, vetminë, depresionin dhe statusin e marrëdhënieve të tyre.
Gjetjet kryesore të studimi
Rezultatet zbuluan disa tendenca të rëndësishme:
Gjinia luan rol të rëndësishëm: Gratë që nuk kishin pasur kurrë partner kishin më shumë gjasa të hynin në një marrëdhënie deri në moshën 29 vjeç krahasuar me burrat.
Arsimi ndikon në kohëzgjatjen e beqarisë: Personat me arsim të lartë kishin më shumë gjasa të qëndronin beqarë për një periudhë më të gjatë, veçanërisht gratë.
Të jetuarit me prindërit ulte gjasat për të filluar një marrëdhënie.
Vetmia dhe depresioni reduktonin shanset për të dalë nga beqaria.
Kënaqësia me jetën rrite gjasat për të gjetur një partner.
Një nga gjetjet më të forta ishte se sa më gjatë që një person qëndronte beqar pa pasur kurrë një partner, aq më shumë binte kënaqësia e tij me jetën dhe aq më shumë rritej ndjenja e vetmisë. Në fakt, statusi i të qenit “kurrë në marrëdhënie” shpjegonte 53% të ndjenjave të vetmisë tek pjesëmarrësit.
Studiuesit vunë re gjithashtu se rënia e mirëqenies psikologjike ishte veçanërisht e theksuar në fund të të 20-ave — një periudhë kur presioni shoqëror për të qenë në një marrëdhënie mund të jetë më i lartë.
Megjithatë, lajmi pozitiv është se hyrja në marrëdhënien e parë pas një periudhe të gjatë beqarie rritte ndjeshëm kënaqësinë nga jeta dhe ulte ndjenjën e vetmisë. Interesant është fakti se kjo nuk pati ndikim të dukshëm në nivelet e depresionit.
Një çështje komplekse
Studiuesit theksojnë se lidhja midis beqarisë dhe mirëqenies psikologjike është e ndërlikuar dhe ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë rrethanat personale dhe dëshirën për të pasur një partner. Ndërsa për disa njerëz beqaria mund të sjellë liri dhe lehtësim, për të tjerë mund të shoqërohet me vetmi dhe pakënaqësi.
Studimi hap rrugë për kërkime të mëtejshme mbi një grup që deri tani ka qenë relativisht i nënstudiuar: individët që nuk kanë pasur kurrë një marrëdhënie romantike gjatë jetës së tyre.
Burimi: https://www.psychologytoday.com/us/blog/the-asymmetric-brain/202602/9-key-insights-from-research-about-staying-single
Foto: Freepik.com