Studimet e fundit shkencore sugjerojnë se gratë mund të përjetojnë dhimbjen për periudha më të gjata se burrat për arsye biologjike dhe jo psikologjike, siç është menduar shpesh në të kaluarën.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Science Immunology, sistemi imunitar i burrave duket se ka një mekanizëm më efikas për të “fikur” sinjalet e dhimbjes. Studiuesit zbuluan se meshkujt prodhojnë më shumë interleukin-10, një molekulë që ndihmon në ndalimin e sinjaleve të dhimbjes që dërgohen drejt trurit.
Eksperimente të kryera në laborator treguan se meshkujt rikuperohen më shpejt nga inflamacioni, ndërhyrjet kirurgjikale dhe stresi fizik apo emocional. Kjo mund të lidhet edhe me nivelin më të lartë të testosteronit, i cili duket se aktivizon këtë mekanizëm mbrojtës.
Profesori Geoffroy Laumet nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit theksoi se bëhet fjalë për një proces real biologjik që lidhet me qelizat e sistemit imunitar. Ndërsa profesoresha Ann Gregus nga Virginia Tech tha se ky zbulim duhet të ndihmojë në marrjen më serioze të dhimbjes së grave, e cila shpesh është nënvlerësuar në praktikën mjekësore.
Sipas studiuesve, këto gjetje mund të hapin rrugën për trajtime të reja të personalizuara për gratë me dhimbje kronike, përfshirë përdorimin e ngjitëseve me testosteron, që mund të kenë më pak efekte anësore se disa barna aktuale kundër dhimbjes.
Studimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt kuptimit më të mirë të dallimeve gjinore në mënyrën se si trupi përjeton dhe menaxhon dhimbjen, duke krijuar mundësi për terapi më efektive në të ardhmen.
Burimi:
Science Immunology – https://www.science.org/journal/sciimmunol
Foto:Freepik.com