Business / Technology, Lifestyle

BBC: TikTok dhe Meta akuzohen se toleruan përmbajtje të rrezikshme për të rritur angazhimin

Një investigim i publikuar nga BBC ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si gjigantët e mediave sociale, TikTok dhe Meta, menaxhojnë përmbajtjen në platformat e tyre. Sipas raportit, ish-punonjës dhe denoncues nga brenda kompanive pretendojnë se në disa raste është toleruar përmbajtje problematike për të rritur kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacione.

Sipas dëshmive të mbledhura nga BBC, disa vendime të brendshme mund të kenë lejuar përhapjen e materialeve të lidhura me dhunën, shantazhin seksual apo edhe përmbajtje ekstremiste, me qëllim që përdoruesit të qëndronin më gjatë aktivë në platforma.

Një inxhinier i Meta-s, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, ka deklaruar se menaxherët kishin inkurajuar ekipet të mos ndërhynin menjëherë ndaj përmbajtjeve “kufitare”, si teoritë e konspiracionit apo postimet mizogjene, pasi këto rrisnin ndërveprimin e përdoruesve dhe ndihmonin platformën të konkurronte me TikTok.

Raporti gjithashtu thekson se presioni për të rritur angazhimin ishte i lidhur me performancën financiare të kompanisë. Në këtë kontekst, Meta investoi burime të mëdha në zhvillimin e funksionit të videove të shkurtra Instagram Reels, ndërsa ekipet që merreshin me sigurinë dhe mbrojtjen e përdoruesve, sipas burimeve, nuk kishin të njëjtat prioritete.

Ndërkohë, dokumente të brendshme të TikTok të siguruara nga një punonjës i kompanisë tregojnë se disa ankesa të përdoruesve, sidomos ato që lidhen me figura politike, trajtoheshin me prioritet për të shmangur konflikte me autoritetet dhe rregullatorët.

Investigimi i BBC-së rikthen në qendër të debatit tensionin mes fitimeve financiare dhe përgjegjësisë sociale së platformave të mëdha të mediave sociale, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e përdoruesve të rinj dhe kontrollin e përmbajtjeve të dëmshme.

Burimi: https://www.bbc.com/news/articles/cly2m5e5ke4o

Foto: Freepik.com