Lifestyle

Cheerful business woman with glasses posing with her hands under her face showing her smile in an office. Playful hispanic female entrepreneur looking happy and excited at workplace

Çfarë është vërtet lumturia? Pse paratë dhe suksesi nuk mjaftojnë sipas studimeve

Lumturia mbetet një nga konceptet më të kërkuara, por edhe më të keqkuptuara në jetën moderne. Ndërsa shumë njerëz e lidhin atë me ndjenja të përkohshme apo arritje materiale, ekspertët sugjerojnë se realiteti është shumë më kompleks.

Sipas psikologëve, truri i njeriut nuk është i programuar për të na bërë të lumtur, por për të na ndihmuar të mbijetojmë. Ai është i fokusuar në identifikimin e rreziqeve dhe skenarëve më të këqij, gjë që shpjegon pse ndjenja e kënaqësisë shpesh është e përkohshme.

Në këtë kuptim, lumturia nuk është thjesht një emocion kalimtar, por një gjendje më e thellë që lidhet me konceptin e “eudaimonia”, i përmendur nga Aristoteli. Ky term përshkruan një ndjenjë të qëndrueshme përmbushjeje, që vjen nga të jetuarit e një jete me kuptim dhe në përputhje me vlerat personale.

Ekspertët theksojnë se ndjekja e simboleve të statusit si paraja, fama apo pushteti nuk garanton lumturinë. Edhe pse të ardhurat mund të zgjidhin probleme praktike, studimet tregojnë se pas një niveli të caktuar, rritja e të ardhurave nuk sjell rritje të ndjeshme të lumturisë.

Madje, një studim mbi milionerët ka treguar se shumica e tyre besojnë se kanë ende nevojë për më shumë para për t’u ndjerë më të lumtur. I njëjti model vërehet edhe tek profesionistët e suksesshëm: një sondazh i vitit 2025 me mbi 7,600 mjekë zbuloi se 45.2% e tyre përjetojnë burnout, ndërsa studime të tjera tregojnë nivele të larta depresioni dhe stresi edhe tek avokatët dhe dentistët.

Kjo tregon se suksesi profesional apo pasuria materiale nuk janë garanci për mirëqenie emocionale.

Po atëherë, ku gjendet lumturia?

Sipas studimit më të gjatë mbi lumturinë, faktori më i rëndësishëm janë marrëdhëniet cilësore. Lidhjet e forta me familjen dhe miqtë jo vetëm që rrisin mirëqenien emocionale, por ndikojnë edhe në shëndetin fizik.

Gjithashtu, praktika si mindfulness dhe mirënjohja ndihmojnë në balancimin e tendencës së trurit për t’u fokusuar tek negativja. Këto metoda i lejojnë njerëzit të jetojnë më shumë në moment dhe të vlerësojnë atë që kanë, në vend që të varen nga arritje të ardhshme për t’u ndjerë të lumtur.

Një tjetër element i rëndësishëm është pranimi i vështirësive. Ekspertët theksojnë se lumturia nuk ekziston pa dhimbje – përvoja pozitive dhe negative janë të ndërlidhura.

Në fund, mesazhi është i qartë: lumturia nuk qëndron tek ajo që zotërojmë, por tek mënyra se si jetojmë, marrëdhëniet që ndërtojmë dhe kuptimi që i japim jetës sonë.

Burimi:https://www.psychologytoday.com/us/blog/anxiety-in-high-achievers/202603/the-price-of-happiness

Foto;Freepik.com