Një artikull reflektues mbi stresin dhe mënyrën se si emocionet përhapen në ambientet e punës ka tërhequr vëmendje të madhe online, sidomos mes profesionistëve të shëndetësisëdhe psikologëve.
Shkrimi përshkruan një situatë të zakonshme në një spital, ku tensioni, lodhja dhe ritmi i shpejtë i punës kishin krijuar një atmosferë të rënduar gjatë një vizite mjekësore. Sipas autorit, gjithçka ndryshoi kur një prej kolegëve filloi të fliste më qetë, me më shumë vëmendje dhe pa nxituar.
Edhe pse ndryshimi ishte i vogël, efekti u ndje menjëherë: njerëzit nisën të dëgjonin njëri-tjetrin, bisedat u bënë më të qarta dhe atmosfera më e qëndrueshme.
Artikulli ndalet te koncepti i “co-regulation” ose bashkërregullimit emocional, ideja se gjendja emocionale e një personi ndikon drejtpërdrejt te njerëzit përreth. Ekspertët shpjegojnë se sistemi nervor i njeriut nuk funksionon i izoluar, por reagon vazhdimisht ndaj tonit të zërit, ritmit të të folurit, shprehjeve të fytyrës dhe energjisë emocionale të të tjerëve.
Sipas studimeve të fundit, stresi dhe tensioni mund të përhapen shumë shpejt brenda një ekipi, por e njëjta gjë ndodh edhe me qetësinë dhe stabilitetin emocional. Një person i qetë dhe i pranishëm mund të ndikojë në mënyrën se si mendojnë, komunikojnë dhe reagojnë të tjerët.
Artikulli thekson gjithashtu se qetësia emocionale nuk do të thotë të mos ndjesh presion apo lodhje, por të kesh aftësinë për të mos e transmetuar automatikisht atë te të tjerët.
Mesazhi kryesor është se në ambiente me stres të lartë, si spitalet apo vendet e punës intensive, ndonjëherë prania e një personi të balancuar emocionalisht mund të ndryshojë të gjithë dinamikën e grupit.