Lifestyle

Happy male candidate greeting a member of human resource team on a job interview in the office.

Pse disa punë na bëjnë të ndihemi të mjerë? Studimi i ri shpjegon “detyrat e paligjshme” në vendin e punës

Jo çdo njeri mund ta dashurojë punën e tij çdo ditë, por ekspertët e psikologjisë së motivimit thonë se ekziston një diferencë e madhe mes një pune sfiduese dhe një pune që të bën të ndihesh i pavlerësuar. Një studim i ri nga Universiteti i Finlandës Lindore hedh dritë mbi arsyet pse disa detyra në vendin e punës mund të shkaktojnë jo vetëm stres, por edhe humbje totale motivimi.

Sipas teorisë së njohur si Self-Determination Theory (Teoria e Vetëvendosjes), e zhvilluar nga Edward Deci dhe Richard Ryan, njerëzit ndihen më të përmbushur kur puna e tyre plotëson tre nevoja bazë psikologjike: kompetencën, autonominë dhe ndjenjën e përkatësisë. Kur këto mungojnë, puna fillon të perceptohet si barrë dhe jo si qëllim personal.

Psikologu Petri Karkkola analizoi fenomenin e të ashtuquajturave “detyra të paligjshme” në vendin e punës — detyra që punonjësit i konsiderojnë të padrejta, të panevojshme ose jashtë rolit të tyre profesional.

Studimi sjell shembullin e një menaxhereje të quajtur Sylvia, e cila kishte zgjedhur pozicionin e saj për shkak të vlerave të kompanisë. Me kalimin e kohës, ajo nisi të përballej me kërkesa të vazhdueshme dhe detyra për të cilat ndihej e papërgatitur. Edhe pse paga dhe kushtet ishin të mira, ajo filloi të humbiste motivimin dhe lidhjen emocionale me punën.

Sipas Karkkolës, këto situata krijojnë atë që quhet “stress as offense to self” — një stres që prek vetëvlerësimin e individit. Punonjësit ndihen sikur po detyrohen të kryejnë detyra që nuk kanë kuptim ose që nuk respektojnë rolin dhe aftësitë e tyre.

Në studim morën pjesë 411 punonjës, të cilët u monitoruan përgjatë një viti përmes pyetësorëve online. Rezultatet treguan se personat që përballeshin më shpesh me detyra të tilla kishin nivele shumë më të larta demotivimi dhe mungese energjie në punë.

Ekspertët theksojnë se problemi nuk lidhet vetëm me ngarkesën e punës, por me ndjenjën se organizata nuk respekton kufijtë profesionalë të punonjësve. Në shumë raste, kjo çon në lodhje emocionale, pakënaqësi dhe humbje të lidhjes me profesionin.

Studimi publikohet në një kohë kur gjithnjë e më shumë kompani po përballen me probleme të “burnout”-it dhe largimit të punonjësve, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e mirëqenies psikologjike në vendin e punës.