Shumë njerëz i qëndrojnë besnikë të njëjtës rutinë të kujdesit për lëkurën për vite me radhë, por dermatologët paralajmërojnë se nevojat e lëkurës ndryshojnë me kalimin e kohës. Sipas ekspertëve, produktet që dikur funksiononin shumë mirë mund të mos japin më të njëjtat rezultate për shkak të ndryshimeve hormonale, moshës, stinëve apo faktorëve të tjerë të jashtëm.
1. Lëkura nuk po reagon më si më parë
Një nga shenjat kryesore është mungesa e rezultateve. Nëse vini re puçrra të vazhdueshme, yndyrë të tepërt, tharje, irritim ose humbje të shkëlqimit natyral, kjo mund të tregojë se rutina aktuale nuk po i përgjigjet më nevojave të lëkurës suaj. Dermatologët këshillojnë që në raste të tilla të rishikohen produktet e përdorura dhe, nëse është e nevojshme, të kërkohet këshilla e një specialisti.
2. Ndryshimi i stinëve po ndikon në lëkurë
Temperaturat e larta gjatë verës dhe ajri i ftohtë e i thatë gjatë dimrit ndikojnë ndryshe në ekuilibrin e lëkurës. Ekspertët theksojnë se produktet më të rënda hidratuese që funksionojnë në dimër mund të mos jenë të përshtatshme gjatë muajve të nxehtë. Për këtë arsye rekomandohet përshtatja sezonale e rutinës, si dhe përdorimi i përditshëm i kremit mbrojtës ndaj diellit gjatë gjithë vitit.
3. Lloji i lëkurës ka ndryshuar me kalimin e viteve
Me kalimin e moshës, lëkura mund të bëhet më e thatë, më e ndjeshme ose më e prirur ndaj irritimeve. Ndryshimet hormonale, stresi, dieta apo faktorë të tjerë mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si reagon lëkura ndaj produkteve. Kjo do të thotë se rutina e kujdesit duhet të evoluojë bashkë me nevojat e saj.
Dermatologët rekomandojnë gjithashtu kontrollimin e rregullt të datave të skadencës së produkteve, pasi efektiviteti i tyre mund të ulet me kalimin e kohës. Dëgjimi i sinjaleve që jep vetë lëkura mbetet hapi më i rëndësishëm për një kujdes të shëndetshëm dhe efektiv.
Burimi;https://www.london-dermatology-centre.co.uk/blog/skin-routine-not-working/
Foto;Freepik.com