Lifestyle

Kultura e verës në restorante dhe në tryezë, eksperti zbulon gabimet që duhen shmangur

Shërbimi dhe konsumimi i verës nuk lidhen vetëm me zgjedhjen e një shisheje cilësore, por përbëjnë një kulturë të tërë gastronomike që kërkon njohuri, kujdes dhe respekt për produktin. Kështu vlerëson eksperti i vreshtarisë dhe verarisë, Rexhep Kryeziu, i cili sjell një analizë mbi mënyrën e duhur të shërbimit të verës në restorante dhe gabimet më të zakonshme që bëhen si nga stafi, ashtu edhe nga konsumatorët.

Sipas tij, një rol kyç në restorante luan somelieri, i cili duhet të rekomandojë verën bazuar në preferencat e klientit, buxhetin dhe ushqimin e zgjedhur. Prezantimi i shishes, kontrolli i etiketës dhe temperatura e duhur e shërbimit konsiderohen elemente thelbësore për një përvojë cilësore.

Eksperti thekson se verërat e bardha dhe rozë duhet të shërbehen në temperaturë 8–12 gradë Celsius, ndërsa verërat e kuqe në 14–18 gradë Celsius, varësisht nga stili i tyre. Temperatura e gabuar, sipas tij, mund të ndikojë ndjeshëm në aromën dhe shijen e verës.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është hapja e shishes dhe shërbimi profesional. Vera duhet të hapet para klientit, ndërsa gota nuk duhet të mbushet më shumë se një e treta e kapacitetit të saj, për t’i dhënë mundësi verës të zhvillojë aromat dhe karakteristikat e saj.

Kryeziu rendit edhe disa nga gabimet më të shpeshta që hasen në restorante, si shërbimi i verës në temperaturë të papërshtatshme, mbushja e tepërt e gotës, ruajtja e verës pranë burimeve të nxehtësisë apo hapja e shishes larg tavolinës së klientit.

Sipas tij, edhe konsumatorët bëjnë shpesh gabime, duke e ruajtur verën në kushte jo të përshtatshme, duke e shërbyer shumë të ftohtë ose shumë të ngrohtë, apo duke e zgjedhur vetëm në bazë të çmimit.

Eksperti nënvizon se vera, kur shërbehet dhe konsumohet siç duhet, shndërrohet në një element të rëndësishëm të përvojës kulinare dhe sociale, duke reflektuar traditën, terroir-in dhe punën e verëtarit.

Burimi;https://www.vinum.eu/

Foto; https://www.vinum.eu/