Lifestyle

One woman, portrait of a young female hiker taking a selfie high on mountain in sunset.

Sondazhi: Të rinjtë amerikanë po përballen me mungesë drejtimi dhe pasiguri për të ardhmen

Një sondazh i realizuar me 2 mijë të rinj amerikanë, nga mosha 18 deri në 29 vjeç, ka nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat përballen shumë prej tyre në arsim, punësim, jetën sociale dhe krijimin e marrëdhënieve.

Studimi, i kryer në prill të vitit 2025 në bashkëpunim me Institutin për Studimet e Familjes, sugjeron se një nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje lidhet me ndryshimet strukturore në ekonomi, arsim dhe jetën shoqërore.

Sipas raportit, shumë të rinj nuk po arrijnë të ndërtojnë një rrugë të qartë drejt pavarësisë. Disa kanë vështirësi në shkollë, nuk janë të punësuar apo të angazhuar në studime, ndërsa të tjerë ndihen të shkëputur nga jeta sociale, kanë pak miqësi dhe mungesë përfshirjeje në komunitet.

Autorët e raportit theksojnë se ndryshimet në tregun e punës kanë ndikuar veçanërisht te burrat e rinj. Rënia e vendeve tradicionale të punës, sidomos në sektorë si prodhimi, pagat më të ulëta për punëtorët e pakualifikuar, rritja e punës së pasigurt dhe frika nga zëvendësimi prej inteligjencës artificiale po krijojnë më shumë pasiguri për të ardhmen.

Megjithatë, analiza shkon përtej anës ekonomike. Sipas saj, shoqëria është bërë më pak e strukturuar dhe të rinjtë kanë sot më pak modele të qarta për jetën e tyre. Rrugët që dikur konsideroheshin të zakonshme – shkolla, puna e qëndrueshme, krijimi i familjes dhe angazhimi në komunitet – nuk janë më po aq të sigurta apo të arritshme për të gjithë.

Studimi vëren se të rinjtë që kanë ndjekur dhe përfunduar arsimin universitar priren të jenë në një pozicion më të favorshëm. Pas diplomimit, ata kanë më shumë mundësi për punësim të qëndrueshëm, krijim miqësish, marrëdhëniesh, familjeje dhe lidhjeje me komunitetin. Kjo kategori raporton më shpesh se ndihet e pavarur, e vlerësuar dhe me kontroll mbi jetën e saj.

Por arsimi i lartë nuk është një mundësi e hapur për secilin. Pengesa financiare, përgjegjësitë familjare, mungesa e interesit apo vështirësitë në të nxënë mund t’i largojnë disa të rinj nga kjo rrugë. Rreth një e katërta e të anketuarve raportuan se përballen aktualisht me një gjendje që mund të ndikojë në të mësuar, si ADHD, autizmi apo disleksia.

Shkollat profesionale dhe programet e praktikës konsiderohen alternativa të vlefshme, pasi ofrojnë mundësi të mira punësimi. Megjithatë, raporti vëren se sistemi arsimor ka favorizuar për një kohë të gjatë modelin “universitet për të gjithë”, duke lënë në plan të dytë rrugët e tjera drejt tregut të punës.

Përfundimi i raportit është se shumë të rinj nuk kanë nevojë vetëm për këshilla individuale, por për më shumë mundësi dhe rrugë të qarta drejt arsimit, punësimit, pavarësisë dhe përfshirjes sociale.

Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/our-new-discontents/202608/the-context-of-the-crisis-facing-young-men

Foto; Freepik.com