Lifestyle

Stef Williams flet për endometriozën, trupin pas lindjes dhe mitet e industrisë së mirëqenies

Sipërmarrësja e fitnesit, autorja dhe nëna e re Stef Williams ka ndarë një rrëfim të hapur mbi përvojën e saj me endometriozën, presionin ndaj trupit pas lindjes dhe trendet e mirëqenies që, sipas saj, nuk duhet ndjekur verbërisht.

E ftuar në podcastin “Olivia’s House with Olivia Attwood”, Williams foli për rrugëtimin e saj nga videot e stërvitjes të publikuara në rrjetet sociale në vitin 2017 deri te krijimi i një komuniteti me miliona ndjekës.

Ajo tha se marrëdhënia me trupin e saj ka ndryshuar ndjeshëm pas ardhjes në jetë të fëmijës. Stef tregoi se është përballur me presionin për t’u rikthyer shpejt në formën e mëparshme fizike, veçanërisht si një figurë publike në botën e fitnesit.

Gjatë bisedës, ajo foli edhe për endometriozën dhe vitet e dhimbjeve të forta që kishte përjetuar. Williams tregoi se në disa raste ishte ndier e pavlerësuar apo e mosdëgjuar nga mjekët, ndërsa gjendja kishte ndikuar edhe në jetën intime, marrëdhëniet dhe frikën e saj për mundësinë e të pasurit fëmijë. Ajo ndau gjithashtu përvojën e saj personale mbi trajtimin që, sipas saj, e ndihmoi të jetonte pa dhimbje.

Në intervistë, Stef dhe Olivia Attwood diskutuan edhe për intimidimin që shumë persona ndiejnë në palestër, fiksimin me proteinat dhe trendet e shumta të mirëqenies në rrjetet sociale. Ato ngritën pyetjen se cilat këshilla dhe produkte kanë vërtet vlerë dhe cilat mund të jenë thjesht shpenzime të panevojshme.

Episodi trajton tema që lidhen me fitnesin, shëndetin e grave, mëmësinë, imazhin trupor dhe pritshmëritë që krijohen shpesh nga bota online.

Burimi; https://www.youtube.com/@thisisoliviashouse

Foto; freepik.com